Stafi dhe studentet e Kolegjit Universum, kanë ndarë pako ushqimore për 30 familje në nevojë në komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Fazile Peci, nga Kolegji Universum, tha se për shpërndarjen e këtyre ndihmave janë përkrahur nga kompani të ndryshme vendore të cilat ju kanë ndihmuar me mbledhjen e produkteve ushqimore.
“Kjo iniciative dhe ky organizim është krejt nga klubi i bamirësisë që është krijuar nga studentet e Universumit. Ata kanë marrë iniciativën në bashkëpunim me kompanitë, ku kanë bashkëpunuar rreth këtij organizimi ku sadopak mi gëzu këto familje skamnore të cilat janë në kushte të rënda ekonomike. Krejt kjo është organizu me ju ndihmu sa më tepër edhe normal krejt në bazë të mundësive”, tha ajo.
Ndërkaq Hasan Mustafa sekretar në Kryqin e Kuq tha se këto ditë familjet në nevojë në Prishtine po ndihmohen nga njerëz e organizata të ndryshme.
“Zemra jonë është gjithmonë afër këtyre familjeve. Ne si Kryq i Kuq i identifikojmë 1700 familje në Prishtinë, deri më tani janë ndihmuar diku 250 familje të Prishtinës falë donacioneve të ndryshme dhe njerëzve të vullnetit të mirë të Prishtinës siç është Kolegji Universum”, tha ai.
Ndërkaq Makfire Selmani e cila ishte përfituese e këtyre ndihmave tha se familja e saj 6 antarëshe jeton në kushte të mjerueshme.
“Për kushte po e shihni, katastrofë. Këtë shtëpi ma ka bërë populli mirëpo një shi me ra jashtë, krejt brenda na hynë. As dru nuk kam, as shporet nuk kam, u mërdhinem nga të ftohtit. Rast social jam, 80 euro i marr social”, tha ajo.