Kollçaku: Në shëndetësi janë bërë vetëm disa improvizime e arritje të vogla

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

234 milionë euro, të ndara për shëndetësi, nuk plotësuan të gjitha nevojat në këtë sistem. Edhe gjatë vitit të kaluar institucionet publike shëndetësore u ballafaquan me mungesë të barnave e të aparaturave. As në vitin 2019 nuk u plotësuan të gjitha premtimet e dhëna për pacientët e për mjekët.

Gjatë vitit 2019 as mjekët e as pacientët nuk kanë qenë të kënaqur me sistemin shëndetësor në vend. Kështu është shprehur mjekja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila ka përmendur moszbatimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe mosfunksionalizimin e Sistemit Informativ (SISH). Ajo ka përmendur edhe problemet e tjera që kanë përcjellë këtë fushë, shkruan sot gazeta Zëri.

“Është bërë një listë esenciale, por ne e dimë se nuk është bazuar në protokolle dhe në udhërrëfyes klinikë. Janë bërë disa improvizime, disa arritje të vogla të cilat kanë qenë më shumë kozmetike. Ne nuk kemi pasur një sistem të mirëfilltë të referimit. Puna e punëtorit shëndetësor nuk është vlerësuar. Kurse Ligji i Pagave po shihet se ka qenë vetëm ligj elektoral, ligj i cili nuk po zbatohet”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka folur edhe për sigurimet private në vend, të cilat operojnë pa llogaridhënie. Ajo ka thënë se pacientët kosovarë ballafaqohen me sfida të mëdha nëse preken me një sëmundje, trajtimi i së cilës kushton shumë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme