KOMF-i ndan 6 çmime në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 11:54 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) mbajti  ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus mbrojtjen e  fëmijëve në Kosovë për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.

Për storiet më të mira u shpërblyen gazetarët: Adelina Ahmeti, Ardita Rashiti, Besnik Krasniqi, Blerta Ahmeti, Kaltrina Rexhepi dhe Leonida Molliqaj.

Drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, Donjeta Kelmendi, tha se viti 2019 është vit shumë i suksesshëm për Kosovën pasi për herë të parë është aprovuar Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.

“Viti 2019 ka qene i disa zhvillimeve lidhur me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në aspektin e legjislacionit. Koalicioni i OJQ- ve së bashku organizatat anëtare, partnerët  në zyrën e BE-së , Unicef, arriti që fal kësaj pune të aprovohet për herë të parë  Ligji për Mbrojtën e Fëmijëve në Kosovë. U aprovua granti specifik për shërbime sociale që të sigurohet buxheti për mbrojtën e dhe mirëqenien e fëmijëve në nevojë”, tha ajo.

Ajo tha se mbetet punë për tu bërë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve

“Kemi varfëri të fëmijëve, 6.8 e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, 61.4 për qind e fëmijëve kanë përjetuar dhunë psikike  dhe psikologjike. Këto të dhëna flasin se duhet akoma punë dhe këtë ta bëjmë së bashku”, tha ajo.

Kelmendi tha se në vitin 2020 do të fokusohen në zbatim të legjislacionit dhe të mobilizojnë institucionet lidhur me zbatimin e ligjit.

Përfaqësuesja e BE-së, Hillen Francke, tha se 60 për qind e fëmijëve kanë përjetuar abuzim apo dhunë psikologjike dhe situata është shqetësuese.

Qeveria e bartë përgjegjësinë për të zbatuar të drejtat e fëmijëve. Shoqëria civile luan rol të rëndësishëm duke mbajtur qeverinë përgjegjëse. Situata e fëmijëve është shqetësuese. 60 për qind kanë vuajtur abuzimin apo dhunën psikologjike. Kosova ka humbje të mëdha , kemi parë se zbatimi i tyre është shumë i dobët. Dua t’i falënderojë gazetarët që nuk i lënë fëmijët në heshtje”, tha ai, raporton EO.

Avokati  i Popullit, Hilmi Jashari, tha se ndihet i nderuar që po ndan këto shpërblime.

“Është kënaqësi për të qenë prezent dhe në emër tuajin të ndaj këto shpërblime”, tha ai.

Kryetarja e panelit vlerësues, Elviana Berani, tha se kanë vendosur te mos ndajnë çmim të parë apo të dytë për shkak se e kanë pasur shumë vështirë të përcaktojnë fituesit për shkak të skorieve cilësore.

“16 gazetarë më shumë se viteve tjera. Janë paraqitur në një numër më të madh të storieve dhe më cilësore që nga gëzoi të gjithëve.  Kurrë më vështirë nuk ishte të vendosim se kush është fituesi. Vendosëm të ndajmë 6 çmime, vendosem të mos ketë çmim te dytë të tretë”, tha ajo.

Gazetarja Adelina Ahmeti nga Birn, fituese e njërit nga çmimet, e cila u shpërblye për një seri të shkrimeve për atë cka ka ndodhë me fëmijët e familjeve të kthyera nga Siria, tha se këta fëmijë kanë nevojë për përkrahjen e shoqërisë.

 “Me u marr me fëmijët nga zonat e kthyera nga lufta është qef, i kam taku dhe më kanë tregu që kanë vullnet me jetu. Këta fëmijë kanë nevojë për përkrahjen tonë dhe shpresoj që institucionet t’ju japin hapësirë”.

Fituesja tjetër, gazetarja Ardita Rashiti nga T7 me storien “Humbin vitin,përjashtohen nga shkolla 58 nxënës” tregoi se shkrimi pati ndikim edhe tek mediet tjera pasi raportuan më vonë për këtë fenomen dhe fëmijët vazhdojnë shkollimin.

 “Kemi trajtuar disa herë këtë temë e që rezultoi me sukses, ata janë kthyer në shkollë”, theksoi ajo.

Njëri ndër fituesit, Besnik Krasniqi nga “Koha Ditore” , me storien “Kthimi në kasolle”, rrëfimi për përpjekjet e një cifti nga komuniteti egjiptian, tha se është për keqardhje në çfarë gjendje është shoqëria 20 vjet pas luftës.

“Kanë kaluar 20 vjet dhe është për keqardhje që shoqëria ka lënë në këso situatash. Uroj të shoqëria jonë ta kthej shikimin nga ta”, tha Krasniqi.

Fituesja tjetër, Blerta Ahmeti nga Klan Kosova me storien “Pedofilia,Kosova pa dosje”, në fjalën e saj i kërkoi institucioneve që të bëjnë më shumë.

 “Nga ky vend u bëj thirrje institucioneve në ardhje të fillojnë procedurat dhe ta shikojnë mendësinë për krijimin e një data baze për personat që kanë kryer këtë krim”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.

Fituesja tjetër, Kaltrina Rexhepi nga RTK-ja me dokumentarin  “E drejta e kufizuar”,  tha se puna e saj për te drejtat e fëmijëve nuk do të ndalet pavarësisht a shpërblehet me çmim apo jo.

Fituesja Leonida Molliqaj nga “Preporter” falënderoi jurinë për vlerësimin dhe çmimin e dhënë.

Përveç kësaj KOMF-i ndau edhe tri mirënjohje “Mik i Fëmijëve”.

Mirënjohje morrin “Meridian Express”,  Familja Strehuese “ Borë dhe Zef Dedaj” të cilët deri më tani kanë strehuar 27 fëmijë dhe “Klubi i Prodhuesve të Kosovës”.

Të ngjashme