Komisioni i PE-së vlerëson angazhimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

Prishtinë | 18 Mar 2025 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentin Evropian (AFET) ka diskutuar ditën e sotme progres-raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.

Në këtë raport është vlerësuar progresi dhe vendosmëria e Shqipërisë për të ecur shpejt dhe qëndrueshëm në procesin e integrimit evropian.

Në këtë diskutim u theksua zgjedhja bindëse e Shqipërisë për rrugën evropiane, angazhimi në rrugën e reformave të thella e kurajoze, hapja e bisedimeve për dy Grupkapituj dhe perspektiva e qartë për të hapur së shpejti edhe Grupe të tjera Kapitujsh, në një projekt ambicioz të Shqipërisë dhe BE-së për të hapur negociatat në të gjithë Kapitujt brenda këtij viti, linjëzimi i plotë dhe i vazhduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, pjesëmarrja në operacionet e BE-së, roli stabilizues në rajon.

Folësit e inkurajuan qeverinë dhe të gjitha institucionet shqiptare, sikurse edhe aktorët e tjerë në Shqipëri, për të vazhduar në këtë linjë dhe me këtë rritëm.

Në diskutime u përmendën edhe sfidat që duhen adresuar. Shqipëria u inkurajua të vazhdojë më tej luftën ndaj korrupsionit; kërkohet adresimi i përshtatshëm i problematikave me të cilat përballet hapësira mediatike në vend, duhen bërë përpjekje nga të gjitha palët për të përmirësuar dialogun politik në vend, e për të shmangur polarizimin e “skajshëm”. Po ashtu, u theksua rëndësia e organizimit të zgjedhjeve të lira e të drejta, si gur themeli për forcimin e demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit.

Ky ishte diskutimi i parë në AFET mbi Raportin, i cili pritet të miratohet në qershor 2025.

Ky raport mbulon vitet 2023 dhe 2024, si dhe muajt e parë të këtij viti. Raporti bazohet përgjithësisht në raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe në zhvillimet që prej muajit tetor të vitit të kaluar. 

Të ngjashme