Komisioni miraton Projektligjin për Buxhetin, Buja del kundër

Prishtinë | 23 Nën 2016 | 13:10 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Buxheti i Republikës së Kosovës, i paraparë për vitin 2017, do të jetë 2 miliardë e një milion euro, tha ministri i Ministrisë së Financave Avdulla Hoti, gjatë prezantimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të  Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar.

Ky Projektbuxhet, tha në vijim ministri Hoti, bazohet plotësisht në dokumentet strategjike që i ka të aprovuara Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin e Qeverisë dhe Programin  për Reforma Ekonomike.

Ai më pas sqaroi se lidhur  Projektligjin për Buxhetin, paraprakisht janë konsultuar të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë edhe komunat, ndërkaq, anëtarët e Komisionit i siguroi se ndarja e mjeteve është bërë në mënyrë shumë të balancuar. Duke folur për investimet e parapara, ministri Hoti, sqaroi në detaje investimet në secilin sektor të paraparë. Me këtë projektbuxhet, vijoi ministri, synojmë të arrijmë dy objektiva: të krijojmë hapësirë më të madhe për investime kapitale, si  dhe  t’i mbajmë nën kontrollë shpenzimet rrjedhëse.

Pasi që njoftoi se projektbuxheti  i propozuar është i harmonizuar në tërësi me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministri u shpreh i bindur se, buxheti i paraparë për vitin që vjen, do ndikojë në një rritje ekonomike më të lartë se 4%.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit zhvilluan debat lidhur me Projekt-buxhetin e propozuar, ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës, pasi shprehën vërejtjet dhe  mospajtimin e tyre lidhur me këtë projektligj, u deklaruan kundër edhe gjatë procesit të votimit.

Ky projektligj, ndonëse (me shumicë votash) u përkrah në parim nga anëtarët e komisionit, kundër votoi edhe deputeti, Shukri Buja (PDK), përfaqësues i koalicionit qeverisës në Komision.

Në këtë mbledhje, Komisioni përkrahu edhe kërkesën e Ministrisë së Diasporës,  për mbështetje financiare lidhur me manifestimin për: “Ditët e javës së kulturës në diasporë”.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe  përkrahu edhe këto projektligje: Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion,  Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër   Korrupsionit, Raportin me rekomandime për Projektligjin për Ndihmën Shtetërore dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168.

 

Të ngjashme