Komisioni parlamentar miratoi buxhetin e shtatë komunave për vitin 2022

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, shqyrtoi sot vendimin e Qeverisë për aprovimin e kërkesës për miratimin e buxhetit për komunat: Gjakovë, Prizren, Suharekë, Malishevë, Vushtrri, Mitrovicë dhe Podujevë, pas aprovimit të buxhetit për vitin 2022 nga kuvendet komunale.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke prezantuar vendimin e Qeverisë për aprovimin e buxhetit, tha se këto komuna kanë respektuar kufijtë buxhetorë të përcaktuar nga Ministria e Financave.

Vendimi i Qeverisë për aprovimin e buxhetit për shtatë komunat në fjalë u miratua nga të gjithë anëtarët e Komisionit.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere formoi edhe dy grupe punuese lidhur me shqyrtimin e dy projektligjeve: Projektligjit nr.05/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-021 për Akcizën në Produktet e Duhanit dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr.04/L-122 si dhe Ligjin nr.03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.

Të ngjashme