Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar në parim Projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ku u kërkua që institucionet mikrofinancare t’i paguajnë tatim shtetit, sepse si të tilla po gjenerojnë fitim të madh dhe nuk po paguajnë tatim.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti prezantoi një përmbledhje të shkurtë të projektligjit për institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimi kryesor i këtij projektligji është të mbajë një sistem stabil financiar. BQK me këtë projektligj adreson qartë kërkesat për licensim dhe operim të institucioneve bankare. Përmes këtij projekligji përcaktohen edhe masat ndëshkuese që BQK mund të ndërmarrë për institucionet bankare”.
“Ky projektligj përcakton shkaqet e administrimit zyrtar. Objektivat qe synohen janë: përshtatja e infrastrukturës ligjore me atë të BE-së, shërbimet e mira bankare, rritja e përgjegjësisë, etj”.
Mehmeti tha se me ligjin e prezantuar nuk mund të rregullohet çështja e transformimit të OJQ-ve dhe duhet të jetë një ligj i veçantë që e rregullon këtë çështje.
Naser Osmani tha se institucionet mikrofinanciare nuk duhet të jenë pjesë e OJQ-ve por duhet t’i paguajnë tatim shtetit, raporton EO.
“Unë mendoj që Ministria e Financave e ka sponzorizu një ligj që e ka draftu Banka Qendrore, është një ligj për të cilin asnjëherë nuk kemi mund me dhënë një përgjigjje adekuate. Na ka munguar një debat mes Ministrisë së Financave, Komisionit për buxhet dhe BQK-së se si të bëjmë një zgjedhje”.
Safete Hadergjonaj tha se ligji për mikrofinancar duhet të ndryshojë, sepse si i tillë po u shërben vetëm individëve të caktuar .
“Është mirë që ne të diskutojmë apo të mbajmë një takim të përbashkët me komisionin për administratë publike dhe të gjejmë një zgjidhje. Dikujt i konvenon me mbetë ky kështu, por ne duhet të gjejmë zgjidhje. Një institucion që krijon profit nuk mund të ketë statusin e një institucioni i cili është i liruar nga të gjitha tatimet”.
Hikmete Bajrami, mysafire në komision, tha se institucionet mikrofinanciare të cilat gjenerojnë fitim duhet t’i paguajnë tatim shtetit, raporton EO.
“Statusi i këtyre institucioneve mikrofinanciare duhet të ndryshojë, sepse nuk mund të marrin fitime të mëdha dhe të mos i paguajnë tatim shtetit. Komplet kapitali që është kriju për qëllime bamirësie të shfrytëzohet për bamirësi, mirëpo kapitali i krijuar nga donatorë të cilët gjenerojnë fitim dhe nuk paguajnë tatim, atëherë kjo duhet të ndryshohet”.
Bajrami potencoi se po të ishte pjesë e këtij komisioni, asnjëherë nuk do ta kishte pranuar këtë ligj.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdigjiku, propozoi të formohet një grup punues qe të qartësojnë dhe të punojnë për ligjet në fjalë.
“Ka një vullnet për të përmirësuar gjendjen e tanishme. Çështja e investimeve është shumë e paqartë. Çështja kryesore mbetet 120 milionë euro të institucioneve mikrofinanciare që smarrin ndonjë adresë”.
“Unë kisha propozuar që të formojmë një grup punues që të nis një sërë takimesh me komisionin për administratë publike. Ne kemi një gjendje të krijuar të pasluftës, kemi institucione 120 milionë euro kapital që adresohen si OJQ”.
“E vetmja gjë që nuk duhet të kalojë është që këto mjete të kalojnë në kapital privat. Po të pyetesha unë, këto institucione do të falimentonin dhe mjetet do të shkonin në bamirësi ose në ndonjë fond zhvillimor”.