Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk e ka shqyrtuar raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Mbledhja e komisionit dështoi si pasojë e mungesës së kuorumit. Deputetët e pranishëm në komision ishin kryesuesja e komisionit Albulena Haxhiu dhe anëtarët Sami Kurteshi dhe Korab Sejdiu, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se ky raport nuk duhet të kaloj pasi që ka shumë probleme dhe koalicioni nuk po vjen në mbledhje pasi që e din që opozita nuk do ta kalojë.
“Për pikën në fjalë arsyen pse e kam ftuar është se rregullorja e punës na obligon me trajtuar raportin për projektligjin për financimin e partive politike, sipas informatave që kam deputetet e koalicionit mungojnë disa dhe ata thonë se nëse mbahet kjo mbledhje ka mundësi të mos kalojë për shkak të mosvotimit nga ana e opozitës“, tha Haxhiu.
“Besoj se është kërkesë e drejtë që Projektligji të tërhiqet dhe nuk mund të vazhdoj kur anëtarët nuk janë të pranishëm këtu”, tha ajo.
Haxhiu tha se i është bërë kërkesë kreut të Kuvendit Kadri Veselit dhe kryeministri Ramush Haradinajt që ketë raport ta kthej në komisionin e Venedikut pasi që ka ndryshime të mëdha.
“I kemi dërguar dy letra tek kryeparlamentari dhe kryeministri me dërguar këtë raport në komisionin e Venedikut pasi që është ndryshuar pothuajse në plotin”, tha ajo.
“Raporti përmban probleme dhe vota jonë si opozitë është kundër në emër të LDK-së dhe VV-së, ka shuma marramendëse për partitë politike dhe kompetencat i janë dhënë KQZ-së”, tha Haxhiu.
Haxhiu njoftoi se opozita VV-ja dhe LDK-ja nuk do ta përkrahin këtë raport, raporton EO.
“Ne do jemi kundër dhe do qëndrojmë dhe kërkojmë të mos procedohet në kuvend me votën pro të Komisionit për Legjislacion”, tha Haxhiu.
Ajo tha se ka rrezik se ne rast se nuk trajtohet raporti brenda afatit të caktuar atëherë mund të shkoj në seancë pa u shqyrtuar dhe kaluar fare në Komisionin për Legjislacion.
“Ka rrezik se nëse nuk e trajton komisioni për Legjislacion brenda afatit që mundet me shku në seancë pa kaluar në Komision”, shtoi Haxhiu.