Komisioni për Shëndetësi miraton në parim Projektligjin për Inspektoratin e Punës

Prishtinë | 19 Sht 2018 | 10:58 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar në parim Projektligjin për Inspektoratin e Punës.

Kryetarja e këtij komisioni, Besa Baftiu, tha se është i domosdoshëm plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.

“Është më se e nevojshme që ky projektligj të plotësohet dhe të ndryshohet. Po besoj që pas miratimit në komision do të kalojë edhe në kuvend e pastaj të takohemi edhe me ministrinë”.

Paraprakisht, anëtarët e komisionit shqyrtuan planin e punës për sesionin vjeshtor.

Kryetarja Besa Baftiu tha se përkundër punës së bërë, nuk është përmbushur agjenda e planifikuar.

Kjo pasi, sipas saj, qeveria nuk ka proceduar në Kuvend projektligjet e planifikuara, raporton EO.

“Ne kemi punuar e kemi përmbushur agjendën, por jo siç e kemi pasur në plan, por jo me fajin tonë për shkak se projektligjet që i kem pasë në plan nuk kanë ardhë prej qeverisë. Ai faj i mbetet qeverisë pse nuk ka ardhë në komision”.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Naser Rugova, tha se në QKUK janë duke u denigruar profesionistët shëndetësorë andaj edhe propozoi që javën e ardhshme të ftohet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu.

“Është një denigrim i profesionistëve shëndetësorë. Nuk ka kirurg në Klinikën e Kirurgjisë… kush ka mbetë në Neurologji. Kemi informata të bazuara për linçime politike dhe klanore të grupacioneve të caktuara. Unë propozoj që javën tjetër ta thërrasim ministrin dhe drejtorin e ShSKUK-së”.

Në anën tjetër, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, shfrytëzoi rastin që t’i ftojë kolegët e saj për t’iu bashkangjitur partisë së saj në protestën që pritet të mbahet në fund të javës së ardhshme, raporton EO.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga anëtarët e komisionit me arsyetimin se debatet partiake duhet t’i lënë për në seancë, e në komision të punojnë për përmirësimin e kushteve në shëndetësi.

Të ngjashme