Mëngjesin e së hënës është mbledhur Komiteti për menaxhimin e pandemisë ku ka diskutuar për masat e ndërmarra nga Qeveria për menaxhimin e gjendjes së krijuar, raporton Ekonomia Online.
“Secili institucion ta jap maksimumin, pavarësisht se e kuptojmë që zgjatja e kësaj situate ka krijuar edhe lodhje dhe ngarkesa më të mëdha, por është situatë emergjente e shëndetit publik dhe duhet të sillemi me shumë përgjegjësi”, tha ministri Zemaj.
Ai tha se konform vendimeve të Qeverisë ka filluar riorganizimi i kapaciteteve spitalore dhe shtimi i shtretërve, fuqizimi i personelit me profesionistët e rekrutuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë specifike në degët si mikrobiologjia, infektologjia dhe shërbimet e tjera të ndërlidhura me rastet e Covid-19, ndërkohë që gjatë javës, MSh do t’i prezantojë për miratim Qeverisë edhe Planin e Veprimit për procedurat e testimit për Covid-19 në Kosovë.
Ai ka kërkuar nga Inspektoratet dhe autoritetet e tjera relevante që t’i monitorojnë dhe zbatojnë vendimet lidhur me kufizimet e qarkullimit në katër komunat e Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Prizren e Vushtrri, sikurse edhe sektorin e gastronomisë për të cilin janë vënë kufizime në nivel vendi.
“Monitorimi duhet të bëhet edhe në komunat e tjera”, tha ai duke shtuar se kufizime mund të vendosen edhe në komuna të tjera, apo të hiqen varësisht prej situatës epidemiologjike në vend lidhur me Covid-19.
Masat e ndërmarra u vlerësuan si të domosdoshme nga ana e Komitetit për të ndikuar që pas një kohe të zvogëlohet numri i rasteve pozitive dhe ajo që është më indikative, për të ulur numrin e rasteve që përfundojnë me vdekje.
Në këtë takim, u kërkua që secili institucion të raportojë brenda javës për zbatimin e vendimeve të fundit të Qeverisë lidhur me masat kundër Covid-19.