Kompania “Esan” prezanton planet për investime në minierat e Kosovës

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 09:48 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania “Esan” nga Turqia, pas pesë vitesh eksplorimesh në disa vende në Kosovë, sot ka prezantuar planin e saj për investime në sektorin minerar në Kosovë para një grupi ndërministror.

Të pranishëm në prezantimin e këtij projekti kapital strategjik ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci; ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami; ministri i Mjedisit, Ferat Shala; dhe përfaqësues të tjerë të resorëve të qeverisë, kryetarë të komunave potenciale për këto investime etj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se kur përmendet sektori minerar, mendja menjëherë shkon te ndërmarrja “Trepça”. Por, ai theksoi se në Kosovë ka edhe mundësi të tjera, raporton Ekonomia Online.

“Para dy muajsh ka hyrë në fuqi Ligji për Investime Strategjike dhe me këtë ligj sektori minerar dhe sektor të tjerë kanë një dritare të re për investitorët që duan të investojnë këtu. Normalisht që gjërat nuk kanë ecur ashtu siç kemi pritur në këtë sektor, por ne investitorët i shohim si mundësi për ta ngjallur atë. Normalisht gjithmonë duke i plotësuar tri kriteret kryesore: atë ekonomik, ambiental dhe mjedisor”, ka thënë Stavileci.

“Kompania e cila ka shfaqur interesim për investime në këtë sektor është sonte këtu dhe natyrisht që Ligji për Investime Strategjike e përcakton qartë se në cilat procedura duhet të kalohet, por ne kemi dashur që paraprakisht ta kemi një prezantim para këtij këshilli para pesë ministrive”, tha ai.

Akpinar: Mund të punësohen 400 punonjës

Eksperti nga kompania “Esan” Alican Akpinar ka shpjeguar aktivitetet që ka bërë kompania për gjatë pesë vitesh në Kosovë.

“Pas pesë vitesh qe jemi në Kosovë ne shohim potencial në Kosovë dhe kemi kryer hapin e parë që ka qenë eksplorimi. Në vitin 2015 dhe 2016 ne kemi bërë shpim diku 8 mijë metra në Bellaqicë. Ndërkaq, në Prapashticë nuk është zonë premtuese siç është Bellaqica”, tha ai.

“Në hapin tjetër ne po kërkonim zona premtuese dhe kemi marrë të dhëna dhe me këto të dhëna ne kemi shkuar në terren dhe në zonat e interesit, ne kemi marrë harta dhe në kemi parë potencial për plumb dhe zink në tri zona me interes siç janë në: Karaqevë, Gumnisht dhe Bresalc. Për zonën e Gumnishtës kemi parë potencial për plumb zink dhe argjend, ndërsa në Bresalc kemi parë potencial për ari dhe plumb”, theksoi ai.

“Ne planifikojmë që të fillojmë të investojmë 43 milionë dollarë me të cilat planifikojmë t’i angazhojmë 410 punonjës. Nëse gjejmë 20 mijë tonë rezerva ne do të investojmë 117 milionë dollarë”, tha ai.

Bajrami: Mirëpresim investime të tilla

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, projektin e kompanisë turke “Esan” e ka quajtur ambicioz, duke thënë se i mirëpresin investime të tilla.

“Ne si Qeveri jemi të zotuar që të fillojmë me shfrytëzimin e pasurisë tonë nëntokësore në mënyrë që t’i shndërrojmë në benefite ekonomike dhe në ngritje të mirëqenies për qytetarët tanë”, ka thënë ministrja Bajrami.

Drejtoresha e kompanisë “Esan”, Serpil Demirel duke prezantuar profilin dhe planet e kompanisë për Kosovë, tha se nëse hulumtimet e rezerva rezultojnë të suksesshme janë të gatshëm të investojnë më shumë se 100 milionë në këtë sektorë.

Ajo tha se me licencat e hulumtimeve që kanë marrë në vendit tonë, po kërkojnë plumb dhe zink, pasi çmimet e këtyre metaleve në treg janë rritur.

“Në ‘Esan’, politikat lokale të punësimit janë diçka që ne i kushtojmë rëndësi  dhe kudo që ne shkojmë për investime ne punësojmë njerëz nga aty dhe kemi programe speciale edukative për trajnimin e punëtorëve, e veçanërisht përfshirjen e grave”, tha Demirel.

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala tha se kompania “Esan” ka vite që vepron në këto zona dhe gjatë këtyre viteve ka arritur rezultate të matshme.

Ai tha se është i interesuar t’i gjejë modalitetet e mundshme legjislative që zonat e interesit të jenë të gatshme për investime, qoftë në modelin e investitorit strategjik, qoftë në modelin e investitorëve të tjerë në mënyrë që këto zona të jenë në funksion të shkencës, të hulumtimit por edhe të zhvillimit të vendit.

Kompania “Esan” menaxhon nëntë miniera në Republikën e Turqisë dhe vitin e kaluar ka arritur të eksportojë mbi 200 milionë dollarë produkte minerare.

Zyra përfaqësuese e kësaj kompanie në Republikën e Kosovës është aktive që nga viti 2010 dhe deri tani ka shpenzuar mbi 1.5 milion euro në hulumtime minerare në disa lokacione në vend.

Të ngjashme