Procedimi i mëtutjeshëm i iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjyaktën Speciale është kompromentuar, meqenëse dy deputetë që e kishin nënshkruar atë fillimisht, tashmë janë tërhequr. Milaim Zeka dhe Islam Pacolli thonë se janë mashtruar, kurse Danush Ademi tregohet i sinqertë kur pohon se nuk e ka ditur se çfarë po nënshkruante.
Në një prononcim për Express, Milaim Zeka thotë se nuk do të votojë asgjë që i shkon përshtati interesave personale të Hashim Thaçit.
Pas rrëmujës që u bë të premten mbrëma, kur me anë të 43 nënshkrimeve të deputetëve, po thirrej një seancë e jashtëzakonshme për zhbërjen e Gjykatës Speciale, disa prej nënshkruesve thanë se ishin mashtruar. Një nga ta është deputeti, Milaim Zeka, i cili thotë se nuk e ka lexuar atë rresht, ndërsa akuzon partnerët e koalicionit se e fshehën arsyen e vërtetë të asaj seance.
Zeka thotë se tërheq nënshkrimin e tij, ndërsa nuk voton pro shfuqizimit të Speciales, që, sipas tij, i konvenon vetëm Hashim Thaçit.
Vendi kaloi në një dramë disaorëshe që po zhvillohej brenda Kuvendit, ku gjendeshin edhe ambasadorët e nxehur me krerët shtetërorë, në përpjekje që të ndalnin zhbërjen e Gjykatë Speciale, që ishte ideuar diku tjetër, por që formalisht, ishte drejt jetësimin me anë të 43 deputetëve.
Pasi u mor vesh se kush janë ata 43 deputetë pas firmave të të cilëve u fshehën tre drejtuesit shtetërorë, disa prej tyre dolën e thanë se nuk e dinin se çfarë kishin nënshkruar – përndryshe nuk do ta sillnin vendit një rrezik të tillë, me dorën e tyre.
I pari që u deklarua ishte deputeti i Nismës, Milaim Zeka, i cili tha se nuk u ishte treguar se për çfarë realisht po nënshkruanin. Sipas tij, deputetëve i ishin bërë hile sepse nënshkrimet ishin kërkuar për shqyrtimin e iniciativës së OVL’së së UÇK’së, që Ligjit t’i shtohej edhe një pjesë.
“Na kerkuan nenshkrimet, pa asnje shkrese tjeter, perpos nenshkrimet. Menduam se do te debatonim rreth peticionit, asgje ma shume. Tek kur u futem ne sallen e Kuvendit po degjonim historine trishtuese, per gjera te jashtëzakonshme”, kishte shkruar Zeka në Facebook.
Por, nënshkrimi i deputetëve, megjithatë nuk u vu në një letër pa kurrfarë shpjegimi. Në listën e nënshkrimeve që u publikuan, shkruan se ata po pajtoheshin për mbështetjen e iniciativës ‘për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara’.
“Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbështetje të Nismës legjislative për: Projektligjin për shfuqizimin e Ligjit nr 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar”, shkruante në krye të secilës fletë ku deputetët kishin nënshkruar.
Gazeta Express ka kontaktuar sot deputetin Zeka për ta pyetur se për çfarë mashtrimi bëhet fjalë, pasi në listën e nënshkrimeve përmendet shfuqizimi.
Zeka ka thënë se nuk e ka lexuar se çka ka shkruar në atë rresht, ndërsa fajëson iniciuesit e nënshkrimeve, pra PDK’në, që nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por që është thënë vetëm se do të diskutohet peticioni i veteranëve.
Tutje deputeti për Express ka thënë se nënshkrimi i tij mund të numërohet i tërhequr, pas, siç shprehet ai, kurrë nuk do të votonte pro diçkaje që është kaq e dëmshme për vendin.
“Nënshkrimi im kërkoj që të konsiderohet i tërhequr, dhe unë në asnjë mënyrë nuk do të votoja dhe nuk do të votojë diçka që i përshtatet vetëm Hashim Thaçit”, ka thënë Zeka.
Ai, po ashtu thotë se edhe nëse në janar mbahet seanca ku votohet për shfuqizim të Speciales, vota e tij nuk shkon për zhbërje të saj.
Edhe deputeti i AKR’së, Islam Pacolli, ka thënë se më nuk i qëndron pas nënshkrimit të dhënë, pasi që kishte kërkuar që të tërhiqet në momentin që ka kuptuar se për çfarë po bëhej fjalë.
“AKR sikur gjithmone pozicionohet ne anen e interesave shteterore dhe te qytetareve saj. Nuk ka votuar per themelimin e gjykates speciale dhe nuk voton as per zhvleresimin e saj”, shkroi Pacolli në FB.
Gazeta Express ka kontaktuar sot Pacollin për të pyetur nëse kishte parë fjalinë ku përmendej shfuqizimi i Speciales, në listën ku ai kishte hedhur nënshkrimin, por deputeti i AKR’së nuk është prononcuar, duke thënë vetëm se është jashtë vendit.
Në listën e deputetëve që nënshkruan, gjashtë prej tyre ishin të komuniteteve pakicë.
Deputeti Danush Ademi, megjithatë nuk kishte thënë se nuk po e dinte se çka po nënshkruante. Ai tregoi se nuk e ka ditur se cilat mund të ishin pasojat nga ai nënshkrim. Ai fajësoi partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës që nuk i ftuan të bisedojnë.
“Nuk e kemi mendu pasojat. Ka qenë i papritur ai nënshkrim. Aty se kemi ditë çfarë po nënshkruajmë. S’kemi pas konsultim, nënshkrimi ka ardh pa konsultim. Nuk është në rregull. Është dashur të ftohemi të diskutojmë. Mendojë se është dashur të ftohemi nga PAN-i të japin sqarime por tani s’kemi çfarë të bëjmë”, është shprehur Danush Ademi.
Ndërkaq, deputeti Labinot Tahiri tha dje për Insajderin se ai i qëndron pas nënshkrimit të tij dhe se e dinte që nga fillimi se cka po nënshkruante.