Dy bursa studentore kanë shkuar për fëmijët e zyrtarit të partisë në pushtet (LDK) të Komunës së Fushë-Kosovës. Në mesin e 131 bursave që kanë përfituar studentë të nivelit bachelor dhe master gjatë vitit të kaluar, dy prej tyre kanë qenë fëmijët e shefit të Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Remzi Shala.
Kriteret që ishin kërkuar për të qenë fitues i një burse vjetore prej 250 eurosh për bachelor dhe 300 për master ka qenë nota mesatare mbi 8 dhe nëse studiojnë në Fakultetin Teknik, të Mjekësisë dhe në Fakultetin e Edukimit, shkruan sot Koha Ditore.
Vetë Remzi Shala nuk e ka konsideruar se ka konflikt të interesit, pasi është pjesë e strukturave të partisë në pushtet dhe shef i GK të së njëjtës në Kuvend. Ai thotë se fëmijët e tij studente të nivelit bachelor i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga Drejtoria për arsim.