Komuna e Gjilanit: Dëmtimi i xhamisë akt vandal

Prishtinë | 16 Gus 2016 | 16:04 | Nga

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në Gjilan, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, ka dënuar rastin e dëmtimit të objektit të xhamisë së fshatit Velekincë, nga një qytetarë i komunitetit serb dhe ka kërkuar zbardhjen e rastit, por edhe qetësi e bashkëpunim gjatë të ardhmes.

Mbledhja është udhëhequr nga kryesuesi Halit Rexhepi, ndërsa në këtë takim është thënë se dhuna është e papranueshme, varësisht se ku ndodh ajo dhe në çfarë forme.

Këshilli njëzëri e ka dënuar rastin e dëmtimit të xhamisë në fshatit Velekincë, duke e cilësuar si akt vandal dhe të papranueshëm.

“Dhuna nuk është e lejuar assesi në asnjë formë dhe në asnjë moment”, u tha mes tjerash nga të pranishmit në këtë mbledhje.

Gjithashtu apel i përbashkët ishte që organet e sigurisë dhe drejtësisë, të hetojnë rastin në mënyrë të pavarur, deri në zbulimin e plotë të motiveve, por edhe detajeve të tjera të rëndësishme që kanë bërë të dëmtohet xhamia si kult fetar Islam.

“Dënojmë dhunën në të gjitha format e mundshme që ajo mund të jetë. Dhuna nuk duhet të jetë në asnjë moment prezent në Gjilan. Jemi Komuna e tolerancës së lartë fetare dhe etnike. Dhunën nuk e dëshirojmë për asnjë konfesion fetar, përkatësi etnike, apo racore”.

“E ardhmja ndërtohet me tolerancë, solidaritet, bashkëpunim dhe ecje drejtë zhvillimit ekonomik, së bashku me të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Gjilan dhe Kosovë”, u tha  mes tjerash në këtë takim.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të Policisë së Kosovës, FSK-së, udhëheqës të të gjitha bashkësive fetare, anëtarë të KKSB-së, dhe përfaqësues të OSBE-së, KFOR-it Turk, Shoqërisë Civile dhe qytetarë të tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme