Më shumë se 85 mijë euro janë ndarë nga Komuna e Lipjanit për klubet sportive të këtij qyteti.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, të enjten ka nënshkruar me përfaqësuesit e klubeve sportive kontratat për subvencionim, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast i kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, u ka uruar suksese klubeve sportive dhe tha se subvencionimi i tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe se klubet sportive do të gjejnë përkrahje të vazhdueshme nga Komuna e Lipjanit.
“85 mijë e 600 euro, dikujt i duket pak. Sportin nuk mundemi me e përkrahë në masën e nevojshme që kërkojnë klubet”, deklaroi Ahmeti.
Përfaqësuesit e klubeve sportive kanë falënderuar kryetarin Ahmeti për përkrahjen e dhënë, duke theksuar kjo është një ndihmesë e mirëpritur që po u bëhet klubeve sportive në Lipjan.
Komuna e Lipjanit përmes thirrjes së fundit publike ka ofruar përkrahje financiare në vlerë prej 62,500.00 Euro, për 7 klube sportive të Komunës së Lipjanit.
Përfitues të këtyre mjeteve ishin klubet e futbollit “Ulpiana 1996”, “Arbëria”, “Minatori”, klubet e volejbollit “Ulpiana (meshkujt)” , “Skënderbeu” dhe klubi i atletikës “Blinaja”.