Komuna e Prishtinës së shpejti do të funksionalizojë zyrën informative për fermerët.
Kështu u bë e ditur gjatë një takimi të përbashkët, të drejtuesve të Komunës, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerëve, raporton Ekonomia Online.
Drejtori për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Ferat Makolli ka thënë se zyra Informative për bujqësi do të jetë ne dispozicion për të gjithë fermerët dhe bujqit e Komunës së Prishtinës.
Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se kjo komunë i ka 550 hektarë tokë bujqësore të klasit të parë duke përfshirë këtu pjesën e tokës së Llapit dhe atë të Gollakut.
Ai ka thënë se këtë vit kanë filluar një projekt të përbashkët me Qeverinë e Austrisë me vlerë 3 mln euro, e që ka për qëllim avancimin e fermerëve dhe në përgjithësi të bujqësisë në këtë komunë.
Hysni Thaçi përfaqësues i Ministrisë Bujqësisë ka thënë se Qeveria dhe Komuna duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për zhvillimin ekonomik.
Ai ka thënë se Qeveria ndihmon edhe shërbimet këshillimore e cila iu ndihmon fermerëve për zhvillim të mëtutjeshëm për të hyrat dhe të dalat e tij si biznes.