Komuna e Prishtinës nderon heroin Zahir Pajaziti në ditën e çlirimit

Prishtinë | 11 Qer 2026 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me kabinetin e tij dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – komandant Remi, pas homazheve që zhvilluan pranë varrezave të dëshmorëve në lagjen Velania, kanë vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, raporton Ekonomia Online.

Pas nderimeve, ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, uroi qytetarët me rastin e kësaj dite.

 “Gjithë qytetarët e Prishtinës, po edhe të Republikës së Kosovës, ju uroj nga shpirti Ditën e Çlirimit të Kosovës. Faleminderit të gjithëve, dhe atyre që kanë kontribuar për këtë ditë dhe për të ardhmen e saj”, tha ai.

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës do të vazhdojnë gjatë ditës me një sërë ngjarjesh përkujtimore, institucionale, sportive dhe kulturore.

Në orën 11:00, në Sallën e Kuvendit Komunal do të mbahet Seanca Solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës dhe personalitete të jetës publike.

Një nga ngjarjet qendrore do të jetë Marshi i UÇK-së, i cili nis në orën 12:00 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon në Sheshin “Skënderbeu”. Marshi organizohet nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të parakalojnë me uniformat e UÇK-së.

Festimet do të vazhdojnë edhe në mbrëmje. Në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet aktiviteti sportiv “Ndeshja e Yjeve – Miqtë e Futbollit”, që synon promovimin e frymës së bashkimit dhe festës qytetare.

Ndërkaq, nga ora 19:00 deri në 23:00, në Sheshin “Skënderbeu” do të mbahet koncert festiv, ku do të performojnë Ansambli “Bajram Curri”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ.

Dita e Çlirimit të Prishtinës përkujton sakrificën për liri dhe nderon kontributin e të gjithë atyre që dhanë pjesën e tyre në çlirimin e vendit, duke shërbyer njëkohësisht si ditë bashkimi për qytetarët e kryeqytetit dhe Kosovës.

Të ngjashme