Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi priti sot në takim përfaqësues të JAICA (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku u diskutua për projektin “Zhvillimi i kapaciteteve për kontrollin e ndotjes nga emisionet prej burimeve të mëdha stacionare”.
Drejtori Nushi bëri prezantimin e punës se 6 sensorëve të instaluar në Komunën e Prishtinës, parametrat të cilët maten si dhe i informoi të pranishmit me rezultatet e para nga këto monitorime.
Raporti i ri 6-mujor pritet këto ditë të dalë (maj – tetor 2016).
Po ashtu edhe përfaqësuesit e JAICA e bënë prezantimin teknik e projektit dhe planifikimet e veprimeve në të ardhmen.
“Mysafirët nga Japonia mbetën shumë të kënaqur me atë që iu prezantua nga puna në Komunë të Prishtinës, çka aktualisht kemi dhe hapat konkretë të ndërmarrë për matjen e ndotjes së ajrit. Po ashtu i tërë ekipi ka vizituar edhe pikat ku janë të vendosur sensorët për matjen e ndotjes së ajrit në lagjet e Prishtinës”.
Konkludimet kryesore në takim:
Projekti zgjatë tri vjet, dhe planifikohet të fillojë në korrik 2017; Komuna e Prishtinës do të jetë drejtpërdrejtë e kyçur në këtë projekt që nga fillimi (me vonë planifikohen edhe 2 komuna tjera) me kapacitete njerëzore si dhe me pajisjet teknike; Bashkëpunimi ndërinstitucional mes Komunës, MMPH dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, përmes këtij projekti ngritet në nivel të lartë; Në Ligjin e ri të ajrit, është amandamentuar propozimi që Komunat mund të monitorojnë dhe instalojnë pajisje për matjen e ndotjes së ajrit; Nëpunësit e Komunës do të aftësohen për marrjen e të dhënave, komentimin e tyre, kalibrimin e pajisjeve, shfrytëzimin e softuerit; Inforgrafikat e monitorimit të ajrit do të jenë të vendosura në një ekran të madh në Komunë.