Komuna e Prishtinës shpall përfituesit e 50 banesave sociale

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 12:26 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se janë përzgjedhur emrat e 50 përfituesve të banesave sociale.

Ahmeti gjatë një konference për media ka thënë se listat e fituesve të banesave, do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Po ashtu, kryetari Ahmeti, ka dhënë edhe shifrat e aplikuesve, nëpër faza, duke nisur nga numri i përgjithshëm i tyre, deri në numrin e përfituesve, në shkallë të fundit, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë aplikuesve kemi pasur 381 familje që kanë aplikuar, prej të cilave 301 kanë mbushur kriteret e aplikimit por 50 prej tyre janë përfitues të banesave sociale. Ne si komunë jemi duke u përgatitur ashtu edhe se siç kemi premtuar gjatë tri viteve të ardhshme po planifikojmë që asnjë banorë i komunës së Prishtinës i cili është me asistencë sociale dhe nuk ka një vend-strehim të mos mbetet pa një banim”, ka thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu ka treguar se prej 50 familjeve, 45 prej tyre janë me asistencë sociale dhe 7 prej tyre janë me pagesë nën kufirin e minimales me 120 pagë mujore.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Banim Social, Naser Cakolli ka thënë se puna e komisionit ka qenë e pavarur. Ai gjithashtu ka treguar se ka pasur familje të cilat kanë tentuar të mashtrojnë gjatë aplikimit të tyre.

“Kemi qenë të pavarur në punën tonë, shoqëria civile ka qenë ajo e cila gjithmonë na ka qëndruar afër dhe na ka ndihmuar gjatë gjithë kësaj kohe. Por ka pasur familje të cilat kanë tentuar të na mashtrojnë. Janë pesë (5), familje të cilat kanë tentuar të manipulojnë me aplikimin e tyre”, ka thënë Cakolli.

I pari i Prishtinës ka thënë se të gjithë ata që janë të interesuar të ankohen kanë 10 ditë kohë që të paraqesin faktet për parregullsi, 30 ditë ankesat e tyre t’i drejtojnë në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe 30 ditë të tjera në t’i drejtohen gjykatave.

Përfituesit e këtyre banesave mund të zhvendosen vetëm atëherë kur të përfundojë afati i ankesave.

Të ngjashme