Komuna e Prishtinës zvarrit zgjerimin e rrjetit të ndriçimit

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 09:38 | Nga

Komuna e Prishtinës kohë më parë ka filluar zgjerimin e rrjetit të ndriçimit, po ashtu edhe ndërrimin e atij të vjetrit me të ri.

Qytetarët e shohin të panevojshme zvarritjen e punimeve, por zyrtari përgjegjës komunal për Energjetikën, Bashkim Sadiku, tha për Radio Kosovën se nuk është zvarritje e punimeve por, që sipas tij, këto punime u përkasin fazave të ndryshme.

Muaj më parë Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike ka nisur punimet për zëvendësimin e rrjetit të vjetër të ndriçimit si dhe vendosjen e këtij rrjeti në zona ku më parë nuk kishte ndriçim. Qytetarët me të cilët bisedoi Radio Kosova shprehen se komuna tanimë e ka bërë traditë të bëjë zëvendësime në kohë jo adekuate. Disa zgjodhën që në vend të tyre para mikrofonit të flasin fëmijët meqë, siç thanë, fëmijët janë ata të cilëve për shkak të errësirës po u pamundësohet loja në parqet afër ndërtesave të tyre të banimit.

”Kanë filluar t’i vendosin dritat po ende nuk i kanë vendos. Këtu përpara po luajmë se është edhe pompa edhe ka më shumë dritë”- thotë Erisa banore e Lagjes Dardania.
Edhe Zgjimi, 11 vjeçar, nga Lagjja ”Ulpiana”, thotë se në fushën e sportit në këtë lagje është e pamundur të luhet në mbrëmje siç kanë luajtur vitin e kaluar, pasi që, sipas tij, në atë fushë janë vendosur shtyllat por jo edhe dritat.

Zyrtari përgjegjës për Energjetikën në Komunën e Prishtinës, Bashkim Sadiku, bëri të ditur për Radio Kosovën se në Lagjen ”Ulpiana” ndërrimi i rrjetit të ndriçimit do të përfundojë brenda dhjetë ditësh.
”Së pari punohet rrjeti nëntokësor, pastaj pas përfundimit të rrjetit nëntokësor vendosen shtyllat, pas shtyllës dritat. Dritat janë porositur dhe vijnë paralel me shtyllat e tjera dhe montohen të gjitha”- theksoi Sadiku.

Pjesët e tjera të cilat do të përfitojnë nga rrjeti i ndriçimit janë: Lagjja ”Dardania” ku sistemi i vjetër i ndriçimit publik do të zëvendësohet me ndriçim të ri edhe në rrjetin nëntokësor i cili është i dëmtuar. Do të vendoset edhe rrjeti i ri në Lagjen e “Ulpianës”, ”Bregut të Diellit” dhe në pjesë të reja të qytetit. Do të ketë modernizim të rrjetit të ndriçimit në “Arbëri”, “Tophane” si dhe në fshatrat e Komunë së Prishtinës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme