Komuna: Nuk anulohet festivali “Sunny Hill”

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Në një deklaratë për KOHËN, Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës ka thënë se Festivalit “Sunny Hill” i është anuluar vetëm pëlqimi, por jo edhe aktiviteti.

Pa dhënë detaje, ai ka thënë që referencë të shërbejë vendimi i publikuar.

Në vendim thuhet: “Bazuar në nenin 53 pika 1 të Ligjit nr. 05/L-031 bëhet revokimi i pëlqimit nr. 07-353-/04-146960/22, me qëllim që lënda të trajtohet dhe plotësohet në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës nr. 03/L-233, si dhe rëndësisë kulturore të Festivalit Sunny Hill”.

Në ankesën e “Qytetarëve Aktivë” ishte thënë se “Sunny Hill nuk ka leje/pëlqim për ndërhyrjet dhe punët brenda zonës së mbrojtur të Gërmisë siç e përcakton neni 128 paragrafi 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”.

“Andaj ju duhet të veproni dhe të ndalen punimet që po ndodhin dhe të shqiptoni sanksionet e parapara sipas këtij ligjit”, thuhej në ankesën drejtuar Drejtorisë së Inspektoratit të Prishtinës dhe Departamentit për Inspektim në Ministrinë e Mjedisit.

Neni 128, paragrafi 4, thotë se lejen për punët dhe ndërhyrjet në peizazhin e mbrojtur dhe monumentin e arkitekturës së parqeve e lëshon organi i administratës ose organi kompetent i komunës.

Më 25 korrik ky grup qytetarësh kishte protestuar kundër lejimit të mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Gërmi duke thënë se “Organizimi i festivalit “Sunny Hill” është ofendim i rëndë për qytetarët e Prishtinës pasi që Komuna e Prishtinës dhe institucionet e tjera të mandatuara, nuk bëjnë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen përmbajtësore të parkut të Gërmisë dhe tash po e vendosin edhe ‘qershinë mbi torte’ duke degraduar qëllimisht natyrën dhe larminë biologjike”.

“Mbajtja e festivalit ‘Sunny Hill’ në Parkun e Gërmisë dëshmon theksueshëm që institucionet tona ende duhet të vetëdijesohen për rolin e mjedisit dhe natyrës në jetën e njerëzve dhe po ashtu duhet të punojnë shumë për të organizuar fushata ndërgjegjësuese për stafin e tyre (trajnime) dhe për qytetarët pasi që qytetarët asnjëherë nuk kanë pranuar informata të nevojshme rreth ndikimit të mbeturinave apo çfarëdo ndotjeje në jetën e tyre. Ndotja akustike ka pasoja te kafshët pasi që e rrezikon aftësinë e tyre për të zbuluar gjahun ose grabitqarët dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Si rezultat, zhurma indirekt ndikon në riprodhimin dhe mbijetesën e kafshëve të egra. I bëjmë thirrje institucioneve të mandatuara të mos kontribuojnë në vrasjen dhe shkatërrimin e mjedisit dhe habitateve të kafshëve të egra. Jemi pjesë e natyrës dhe pa të do të shkatërrohemi edhe ne të gjithë!” thuhej në protestën e tyre.

Festivali “Sunny Hill” është paraparë të mbahet nga 4 deri më 7 gusht në Parkun e Gërmisë. Vendimit që të mbahej në Gërmi i parapriu një sagë që u përcoll me anulim fillimisht për shkak të telasheve me pronën në Shkabaj e më pas me marrëveshje që edhe sivjet të mbahet në Gërmi deri në zgjedhjen përfundimtare të lokacionit.

Të ngjashme