Konjufca: BE-ja u ngut me propozimin e statutit për Asociacion, rendi ishte që Kosova ta prezantonte një të tillë

Prishtinë | 09 Dhj 2023 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u propozua së fundi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për VOA, Konjufca ka konsideruar se ky nuk është hapi më i mirë që ka bërë BE-ja, pasi sipas tij, s’i takonte ta propozojë një projekt-statut të tillë.

Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte një statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë”, ka thënë Konjufca.

Më tej kryekuvendari është shprehur se në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet procesi i dialogut, nuk thuhet që propozimi i statutit të Asociacionit është kompetencë e BE-së.

Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian”, ka thënë kryetari Konjufca.

Të ngjashme