Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari Konjufca i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Hovenier dhe i ka dëshiruar suksese në detyrën e re.
Kreu i Kuvendit njëherësh vlerësoi lart miqësinë e palëkundur dhe partneritetin shembullor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në BE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ai po ashtu falënderoi ambasadorin Hovenier për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohje edhe për dhurimin e mbi gjysmë milioni të vaksinave Pfizer kundër koronavirusit.
Në takimin e përzemërt e tejet miqësor, kryetari Konjufca dhe ambasadori Hovenier shprehën përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkërendimin e objektivave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona.
Përderisa Hovenier të hënën dorëzoi letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani.
Pas takimit me presidenten Osmani, Hoveiner bëri homazhi të varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa agjendën e takimeve e përfundoi me kryeministrin Albin Kurti.
Hovenier u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor.
Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.