Konjufca me shokun e tij të bankës befasojnë mësuesin e tyre për 7 Mars

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, së bashku me shokun e tij të bankës shkollore, Besnik Reçicën, sot pasdite e kanë befasuar me një vizitë mësuesin e tyre të parë, Hamdi Salihun, në fshatin Kojskë të Lipjanit.

Me këtë rast, Konjufca ka thënë se është pafundësisht mirënjohës për mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe punëtorët  e arsimit që e bartën mbi shpatulla shkollimin e brezave, njofton Klan Kosova.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:

Së bashku me mikun dhe shokun tim të bankës shkollore, Besnik Reçica, sot pasdite e befasuam me një vizitë mësuesin tonë të parë, Hamdi Salihun, në fshatin Kojskë të Lipjanit.

Mësuesi Hamdi ka lindur në vitin 1936. Për herë të parë e mori ditarin në dorë më 1 shtator të vitit 1953. Punoi pa u lodhur e plot pasion për arsimin për 46 vite me radhë deri kur u pensionua më 1999. Edhe baba im ka qenë nxënës i mësuesit Hamdi më 1 shtator të vitit 1958.

Unë e Besniku, së bashku me plot shokë e shoqe tjera, shkuam në klasën e tij më 1 shtator të vitit 1988. Dashuria që na e jepte mësuesi Hamdi, afërsia dhe sjellja e mirë, e po ashtu edhe metoda jashtëzakonisht efektive e dhënies së mësimit, janë të paharrueshme.

Ai ka shkruar rreth 600 vjersha për fëmijë, shumica e të cilave të botuara në gazetën Rilindja dhe në revistën për fëmijë – Pionieri. Vjershën e tij të parë e ka botuar në vitin e largët 1954. Ai shkruan edhe sot.

Në arkivin e pasur të mësuesit Hamdi mund të gjesh gjëra të çmuara. P.sh. numrin e parë të Rilindjes – ’12 Fruer 1945′. Çmimin e kishte të shkruar edhe në lekë!

Pafundësisht mirënjohës për mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe punëtorët tanë të arsimit që e bartën mbi shpatulla shkollimin e brezave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme