Konjufca në Lipjan: LDK-ja finalen do ta shikojë nga tribunat

Lipjan | 05 Qer 2017 | 15:44 | Nga

Në tubimin elektoral në vendlindjen e tij në Lipjan, Glauk Konjufca ka thënë se regjimi e ka ndërtuar në Kosovë një skemë piramidale të krimit të organizuar, kurse prokurimin publik e kanë vënë në funksion të përfitimeve private.

“Në njërën anë kemi klanin e krimit, në anën tjetër kemi klanin e nënshtrimit. E populli po thotë merre njërin e mëshoja tjetrit”, u tha lipjanasve Konjufca, teksa ka komentuar dy koalicionet.

“Nuk mund të ketë drejtësi në Kosovë, nuk mund të vijë zhvillimi ekonomik, nuk mund të ecë përpara arsimi për fëmijët tonë, shëndetësia nuk mund të ketë shans për t’u rregulluar, pa ia hequr nga duart pushtetin klanit ‘Pronto’”, tha ai.

Konjufca u shpreh i bindur se në zgjedhjet e 11 qershorit do të fitojë Vetëvendosje, kurse ka ironizuar me moton e LDK-së.

“LDK-ja po thonë ‘Shihemi në finale’. Ata njëmend kanë me shku në finale, ama finalen kanë me e këqyrë nga ulëset e shikuesve”, ishte komenti thumbues i Konjufcës për LDK-në nga Lipjani.

Sveçla: Në fund të kësaj jave merr fund qeverisja e mafiozëve

Kandidati për deputet, Xhelal Sveçla, në tubimin e mbajtur në Lipjan, i ka quajtur mafiozë ata që kanë qeverisur deri tani dhe u shpreh i bindur se fundi i tyre do të jetë fundi i kësaj jave.

“Këto klane mafioze jo vetëm që e kanë kapur secilin institucion të vendit, por po mundohen ta kapin edhe secilën ëndërr e shpresë të qytetarit. Kur u futëm në garë për Prishtinën thane që fitoren as mos e ëndërroni. E kur fituam na thanë e keni të pamundur të bëni ndryshimin. Por sot në Prishtinë është një gjendje krejt tjetër. Tashmë shihet qartë që klanet kriminale kanë pësuar debakël në Prishtinë”, u shpreh Sveçla para lipjanasve.

Ai ftoi që të bashkohen të gjithë për ta mundësuar ndryshimin.

“Çlirimi është kauza, Vetëvendosje është subjekti, 35 është numri, Albin Kurti është kryeministri”, tha Sveçla.

Ahmeti: Një qytetar me tha se bastion i VV-së është krejt Kosova

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, në tubimin zgjedhor në Lipjan tha se Vetëvendosje është dëshmuar në qeverisje me qeverisjen në kryeqytet.

Ai tha se janë realizuar shumë projekte gjatë një mandati, teksa ka ironizuar me LDK-në, e cila tenton të marrë meritat për këto projekte, duke thënë se janë nisur në kohën e qeverisjes së tyre. Ai ka folur edhe për premtimet e partive të tjera dhe projektet që tani po i realizojnë për vota.

“Kohëve të fundit kam marrë shumë mesazhe nga qytetarët. Njëri prej mesazheve nga lexuesit thoshte: Po shihet shumë qartë se bastion i VV-së është krejt Kosova”, tha Ahmeti.

Për qeverisjet e kaluara, i pari i kryeqytetit tha se logjika ka qenë e njëjtë “zhvleftësimi i pasurisë publike, shtija e saj dhe pasurimi i politikanëve”.

Kandidati tjetër Xhelal Sveçla, tha se në zgjedhjet e fundit lokale nuk besohej thuajse nga askush fitorja në Prishtinë, por ajo ndodhi, e bashkë më të erdhi ndryshimi në kryeqytet. Kandidatja për deputete, Fitore Pacolli, tha se me Shpendin ndryshuan Prishtinën e me Albin Kurtin kryeministër do ta ndryshojnë Kosovën.

Kurse, kandidati për deputet, Selatin Retkoceri, tha se numri 35 është simbol i vetë popullit, është rrugë e vetme e shpresës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme