Konjufca: Opozita ka kushte, protestat të pashmangshme

Prishtinë | 12 Sht 2018 | 18:34 | Nga

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se opozita ka kushte për jetën parlamentare në vend dhe se protestat kundër qeverisë dhe presidentit Thaçi janë të pashmangshme.

Konjufca ka thënë se me partitë tjera opozitare do të merren vesh të enjten për modalitetet teknike që do të ndërmarrin për seancën e parë të sesionit vjeshtor, raporton ktv.

Për këtë ka thënë se kanë kusht kryesor që fillimisht duhet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për të parandaluar negocimin e kufijve në dialog me Serbinë.

“Ne qysh në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit që cakton rendin e ditës së seancës, ishim të bashkuar kundër idesë që të fillojë sesioni vjeshtor pa përfunduar seanca e thirrur nga opozita. Kjo seancë është ndërprerë për shkak të bojkotit total të mazhorancës. Kjo s’është arsye që të fillojë sesioni vjeshtor. Modalitetet teknike do t’i bisedojmë sërish me partitë opozitare nesër në mëngjes, por të gjithë pajtohemi që të mbahet seanca e opozitës. S’do të lëshojmë pe që të vijë në Kuvend sikur s’ka ndodh asgjë kur dihet se ka pasur zhvillime dramatike”.

“Më 28 qershor presidenti Hashim Thaçi tha se s’kemi vija të kuqe me Serbinë e deri tash është zhvilluar ideja e presidentit që të shkojë në dialog me Serbinë e do ta hapë si çështje. S’mund t’i kthehemi normalitetit. Duhet seancë urgjente që nxjerr dokument që presidenti s’guxon ta bëjë atë gjë dhe t’i hapë kufijtë e Kosovës me Vuçiqin. Opozita s’mund t’i kthehet punës normale pa u bë kjo”, ka thënë ai. “Opozita do ta vendosë si kusht të jetës parlamentare mbajtjen e seancës sonë dhe miratimin e dokumentit që ia parandalon presidentit dialogimin e kufijve”.

Konjufca ka thënë se koalicioni qeverisës me bojkotin që po u bën iniciativave të opozitës po e mbyt demokracinë në Kuvend.

Sipas tij, në vend nuk mjafton vetëm rezistenca parlamentare, por duhet edhe mobilizim popullor për të ndaluar presidentin që të negociojë kufijtë me Serbinë.

Idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh, Konjufca e ka quajtur episod të dytë të asaj që ndodhi në fund të vitit 2017 me tentimin për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Këtë ka thënë se Thaçi po e bën për shkak se ndihet i rrezikuar nga kjo gjykatë. Ai është shprehur i habitur se përse presidenti ka pritur 20 vite që të nxisë çështjen e Luginës.

“Do t’i besoja Thaçit kur e kish përmend Luginën nja 200 herë pas luftës e nja 30 herë në takimet me Vuçiqin e Daçiqin e kur kish bë fond të veçantë për Luginën dhe kur e kishte thirrur kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për plan nacional për Luginën”, është shprehur Konjufca.

Sipas Konjufcës, Vetëvendosje është e vendosur për protesta, por dëshiron që ato t’i bëjë bashkë si opozitë e bashkuar me LDK-në. Këtu ka thënë se po sheh një hezitim të LDK-së, por ka shtuar se nuk mund ta presin pa kufi.

“Vetëvendosje nuk mundet me prit pa kufi LDK-në. U kemi bërë ftesë dhe nëse LDK-ja mendon se kundër Thaçit e ideve të rrezikshme e keqqeverisjes së Haradinajt nuk duhet me pas protesta dhe janë të kënaqur me gjendjen aktuale, për VV-në s’prish punë. Ne do të vazhdojmë me protesta, por ajo s’është korrekte. Duhet të ketë protestë të opozitës së bashkuar. Ne kemi lindur në protesta, s’janë problem për ne. Është korrekte që më mirë të bëhej nga e gjithë opozita. LDK-ja po heziton dhe po këqyr çka me bo, po kalkulon. Nuk do të presim pafundësisht”.

“Mendoj që përmes pakënaqësisë qytetare duhet të refuzohet kjo qeveri me skandale të çdojavshme. Mjafton me përmend skandalin e pagave, veteranëve të rrejshëm, 53 milionë eurot e Bechtelit që të çohet populli në protesta. Protesta do të ndodhin edhe nëse opozita rri në shtëpi. Nuk ka pasur kurrë gatishmëri më të madhe për t’u revoltuar kundër një presidenti problematik dhe një qeverie të tillë. LDK-ja s’po e lexon situatën siç duhet dhe i ka hezitimet që do të marrin fund së shpejti e do të jenë në hap me popullin”, është shprehur më tej ai.

Konjufca ka thënë se nëse Thaçi në takimin e ardhshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq hyn në diskutime për kufij, populli “do t’ia tregojë vendin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme