Konjufca: Protestat janë të pashmangshme, nëse Thaçi shpërfill Kuvendin

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 08:01 | Nga

Glauk Konjufca, shef i deputetëve të VV-së, ka konfirmuar se sot kanë zhvilluar disa takime me partitë tjera të opozitës, takime këto që kanë të bëjnë me përpjekjen e presidentit Hashim Thaçi e cila prek direkt kufijtë e Kosovës.
“Më mirë është që ne të gjithë si popull të vendosim për Thaçin, sesa ai për të gjithë neve. Ne u pajtuam që para se ai të shkojë në Bruksel më 7 shtator, duhet të mblidhemi dhe t’i tregojmë se kjo është e pamundshme. Kuvendi të dalë me një dokument që do t’i tregojë atij se është e pamundshme që ai t’i vë në pazar kufijtë e Kosovës”, tha Konjufca në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, nëse seanca e jashtëzakonshme do të varej nga shumica e Kryesisë së Kuvendit, ajo s’do të mbahej kurrë.

Ndërsa, sipas tij, e vetmja hapësirë është mbledhja e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme dhe pastaj mbledhja e Kryesisë është obligative.

“Nesër do ta finalizojmë këtë çështje në një takim mes subjekteve opozitare dhe do t’i japim formë dokumentit apo rezolutës”, shtoi ai.

Duke folur për reagimin e Veselit ndaj thirrjes së seancës, Konjufca tha se ai po ndjell diçka të keqe për Kosovën në kuptimin e vendimmarrjes më 7 shtator.

“Përndryshe, ne po dëshirojmë të ndalojmë presidentin në këtë çështje. Një temë ka qenë e dijshme që nga paslufta, që kufijtë e Kosovës janë të pakontestueshëm. Populli i Kosovës ka punuar shumë gjatë për këtë liri. Edhe më 1999, edhe më herët, populli ka qenë lëvizje shoqërore dhe popullore, e tash për herë të parë në historinë tonë po shihet se një njeri i vetëm po mundohet ta bëjë projekt politik i cili po dëshiron të vendos për të ardhmen e vendit. Nuk bën të ndodhë kjo dhe populli duhet të ngrihet dhe t’ia tregojë vendin këtij njeriu. Nëse frikësohet nga Specialja, duhet ta shpjegojë këtë brengë para popullit”, u shpreh shefi i deputetëve të VV-së.

Ai thotë se Rezoluta e propozuar nga partitë opozitare do të ketë disa parime që janë etike për Kosovën dhe të cilat nuk do të guxonte t’i shkelte askush.

“Si p.sh., integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm, që askush nuk ka mandat që në emrin e tij personal t’i vë në pikëpyetje kufijtë tanë, pastaj ta personalizojë dialogun me Serbinë. Nuk është çështje vetëm e opozitës se a do t’i votojë apo jo. Mendoj se është shumë në interes të Kosovës vendosja e disa pikave, dhe do të merrte më shumë vota sesa të vetëm të opozitës. Mendoj se edhe deputetët e PDK-së do ta votonin mos-hapjen e çështjes së integritetit territorial të Kosovës. Sado që të jenë të lidhur me presidentin Thaçi, kur të vijë puna në fund, e kur Thaçi i detyron ata të zgjedhin mes Kosovës dhe zotit Thaçi, mendoj se zgjedhja është e qartë”, deklaroi Konjufca.

Ai tha se kufijtë e veprimit institucional demokratik e kanë njëfarë kornize.

“Nëse një njeri i vetëm i shkelë të gjitha institucionet, nuk njeh asnjë rregull të demokracisë, e nëpërkëmbë demokracinë dhe e shpërfill Kuvendin, dhe kjo po më frikëson se nuk është e panatyrshme dhe nuk do të ishte hera e parë që Thaçi do të bënte një veprim të këtillë, pasi e ka bërë edhe kur ishte Kryeministër, por nëse Kuvendi mblidhet dhe shpalos shqetësimin e tij dhe votohet një deklaratë, atëherë sovraniteti flet dhe thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm, e ai shkon në Bruksel dhe i çelë kufijtë e Kosovës, mjetet demokratike këtu shteren. Shoqëria do të ketë legjitimitet të plotë demokratik për t’ia treguar vendin Hashim Thaçit edhe përmes protestave të mëdha popullore. Që Thaçi të mos vendos për fatin e Kosovës me Vuçiqin”, theksoi Konjufca.

Kosova duhet ta shtrijë kontrollin institucional në tërë territorin e saj sepse vendi ynë është i njohur me këta kufij, thotë Konjufca.

Deputeti i VV-së tha se nëse SHBA-ja do ta dëgjonte John Boltonin më 1999, Serbia ende do të ishte në Kosovë.

“Boltoni ka qenë kundër ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Boltoni në raport me Kosovën e ka treguar mendimin e tij qysh para 20 viteve. Unë mendoj se nuk është qëndrim i SHBA-së, por qëndrim personal i Boltonit”, thotë Konjufca.

“Do të ishte tragjedi me pasoja katastrifike nëse ndryshon 180 shkallë politika e SHBA-së ndaj Kosovës. Si do të arsyetohej ndërhyrja e NATO-s, si do të arsyetoheshin miliarda dollarë të dhëna nga SHBA-ja për Kosovën. Unë mendoj se kjo vjen që nga momenti kur Hashim Thaçi ka nisur të takohet me Vuçiqin pa ndërkombëtarë, pa dëshmitarë. Më 23 mars në Washington ata janë takuar vetëm. Ai të cilit SHBA-ja nuk i ka dhënë garanci për Specialen, ai i cili ka aktakuzë në Serbi, të bisedojë për fatin e Kosovës… ne s’mund të flemë të qetë”, tha ai.

Konjufca thotë se qëndrimi i kancelares Merkel ka qenë shumë i qartë se kufijtë e Kosovës duhet të mbeten këta që janë aktualisht.

“Qëndrimi më i mirë i çdo politikani në Kosovë do të ishte definimi i qartë i dy pozicionimeve: i pari, kufijtë janë të palëvizshëm, dhe i dyti, për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi, duhet të kenë të drejta të barabarta. Kjo do të ishte politika më e drejtë e mundshme që do t’i përfaqësonte më së miri interesat e Kosovës”, theksoi ai.

Shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca, thotë se gjuha e kryeministrit Ramush Haradinaj, sidomos në rastin e prokurorit special të dorëhequr, Elez Blakaj, dhe ndaj liderit të partisë së tij, Albin Kurti, është shqetësuese.

“Një kryeministër që e lë një dokument të shkruar, me nënshkrim, ku i tregon prokurorit qysh duhet të bëjë hetime, është një dokument turpi, i ndërhyrjes së qeverisë në sistemin e drejtësisë. Ky e di se nuk do të ishte kryeministër tamam nëse nuk e kontrollon edhe drejtësinë. Është shumë shqetësuese kjo për arsye se një vend që ndërtohet në parimin e ndarjes së pushteteve, një kryeministër që i tregon prokurorit çfarë duhet të bëjë, tregon se kryeministri ynë ose nuk ka haber mbi konceptin e sistemit politik, ose edhe më keq, e kupton se pushtetet janë të ndara dhe qëllimisht ndërhyn në sistemin e drejtësisë. Fakti se ka ndërhyrë tregon se përmes këtij hetimi, prokurori special e ka prekur problemin në nerv sepse të gjithë këta që po reagojnë, Haradinaj e Veseli, po tregojnë se afera e veteranëve të rrejshëm është projekt politik, është një marrëveshje politike mes burrështetasve, që përkthehet në maksimizim të votave. Nga qershori i vitit të kaluar, kur e panë se VV po del partia e parë, ka filluar kjo aferë, duke fryrë lista për të krijuar njerëz që të fitojnë pensione të pamerituara. Ky nuk është vetëm dëm politik, por edhe ekonomik – si të vjedhësh një tender, por në kuptimin moral e politik është edhe më e rëndë. Më e rëndë sesa dhënia e 53 milionë eurove për Bechtel Enkës, sepse prek themelin e vlerave të lirisë sonë. Të gjithë ata dëshmorë, e gjithë ata veteranë që kanë kapur pushkën, të dalin 28 mijë veteranë të cilët ose janë futur aty për shkak se janë akraba të komandantëve apo burrështetasve, mbi të gjitha të Veselit e Haradinajt, apo edhe që kanë blerë, është turpi i turpit të pasluftës. Komandantët e luftës janë komandantë të veteranëve të vërtetë, por në paqe u bënë komandantë të veteranëve të rremë”, theksoi Konjufca.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme