Konjufca: Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Prishtinë | 05 Mar 2024 | 11:10 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rënia heroike e Jasharëve, i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia. 

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Konjufca tha se “sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”.

“Sakrifica madhështore e Jasharëve, na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë. Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmi, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza , “ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë ”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se themelet e lirisë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.

“Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve. Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse ushtria e Kosovës e njësuar me popullin e çliroi atdheun tonë nga Serbia. Pavarësia e shtetit tonë, është rezultat i këtij procesi”, deklaroi ai.

Fjala e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në seancën e sotme solemne të Kuvendit për nder të Epopesë së UÇK-së:

Shumë i dashuri Baci Rifat,

Të nderuar anëtarë të familjes Jashari,

Faleminderit që po na nderoni në Kuvend me praninë tuaj!

E nderuara Presidente, Vjosa Osmani Sadriu,

Kryeministër Kurti,

Të nderuar deputetë,

Zëvendëskryeministra,

Ministra të Kabinetit Qeveritar,

Të dashur Ambasadorë,

Faleminderit që jeni të pranishëm këtu!

I nderuar President Sejdiu,

Të dashur të pranishëm,

Përfaqësues të institucioneve tona të rëndësishme shtetërore,

Për kombet në botë më e rëndësishmja është liria. 

Por vjen një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën. 

Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti. 

Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjitet. 

Jeta bëhet jonjerëzore, jetë e pajetueshme. 

Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë. 

Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me Bacin Shaban e të gjithë familjarët, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri.

Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës – Liri a Vdekje! 

Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. 

Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull. 

Ajo ngrihet mbi themele të forta. 

Kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. 

Siç thoshte Hamza – ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë: guri peshon në tokën e vet. 

Themelet e lirisë sonë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve. 

Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve. 

Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia. 

Pavarësia e shtetit tonë është rezultat i këtij procesi. 

Nuk e di kurrë se a janë fjalët të afta ta thonë krejt ngjarjen. 

Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice. 

Druaj nëse vërtet mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizmit të tyre. 

Por një gjë të thjeshtë me siguri e di sa është i sigurt edhe gjaku i tyre – se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë ne Prekaz, e do të frymëzohet, aty ku u ngjiz liria. 

Lavdi Jasharëve! Zoti e bekoftë kombin tonë të pamposhtur!

Të ngjashme