Kryeparlamentari Konjufca pret Igli Hasanin, në vizitën e tij të parë në Kosovë

Prishtinë | 16 Jan 2024 | 11:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani.

Nga ky takim, mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, ndërsa nuk ka pasur deklarime për medie.

Por sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra për Informim e Kuvendit, gjatë takimit të përzemërt e vëllazëror u shtruan për diskutim çështje të ndryshme që lidhen me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe u shkëmbyen pikëpamje me theks të veçantë rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.

Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe frytet e bashkëpunimit të deritashëm, derisa shprehu mirënjohje për kontributin e pazëvendësueshëm që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat shtetformuese, shtetndërtuese dhe proceset eurointegruese.

“Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi nevojën për bashkërendim të hapave në mënyrë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar përballë sfidave rajonale e globale”.

Ndërsa Ministri Hasani, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Në takim morën pjesë dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malajz dhe ai i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.

“Me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësuam bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona dhe theksova rëndësinë e zgjerimit të dialogut politik përmes diplomacisë parlamentare”, ka shkruar ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, në faqen zyrtare.

Të ngjashme