Konkursi për policët në veri ende i hapur, nuk dihet numri i aplikantëve

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Ka më shumë se dhjetë ditë që Policia e Kosovës hapi konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të mbushur vendet bosh që janë në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.

Kjo pas dorëheqjeve masive të qindra zyrtarëve policorë serb që u larguan nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e makinave. Por a dihet deri më tani numri i personave që kanë aplikuar në këtë konkurs?

Nga Qeveria e Kosovës u tha se përmes këtij konkursi nuk synohet të përjashtohet asnjë serb i cili dëshiron që të jetë pjesë e Policisë së Kosovës. Sipas Qeverisë krejt çka nevojitet për këtë konkurs, – është thjeshtë plotësimi i kritereve të parapara.

Por, në konkurs një prej kritereve është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.

“Thirrja është e hapur për të gjithë ata që përmbushin kriteret. Në parim, ne nuk duam të përjashtojmë askënd dhe ne nuk synojmë që të zëvendësojmë serbët me shqiptarët sepse ne duam që serbët të përfaqësohen në institucionet tona multietnike”, tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Por nga Policia e Kosovës nuk po japin detaje rreth ecurisë së konkursit.

Në përgjigjen e PK-së për Nacionalen, të njëjtit kanë dërguar likun e hapjes së aplikimit, duke e injoruar pyetjen për numrin e aplikantëve.

“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

E autoritetet e drejtësisë në Kosovë këtë konkurs e hapën pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Kush mund të aplikojë?

Konkursi është hapur. E zyrtar i policisë së Kosovës mund të bëhen të gjithë ata që i plotësojnë kushtet e vendosura nga institucionet kosovare.

Një nga kushtet, megjithatë, është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe tashmë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se beson që nuk do të ketë numër të madh të aplikantëve për konkursin e PK-së për kadet në Mitrovicën Veriore, dhe i njëjti ka treguar se arsyeja mund të jetë trysnia, shantazhi dhe kërcënimet nga Serbia.

“Ju e dini se atje është duke u zhvilluar një trysni e madhe ndaj komunitetit lokal nga strukturat e Serbisë. Dhe unë mendoj se kjo është njëra ndër arsyeje pse Policia e Kosovës nuk ka bërë të ditur numrin e aplikantëve edhe pse sipas meje kjo është gabim. Në çdo moment në çdo kohë, pavarësisht rrethanave publiku ka të drejtë të dijë, gjithashtu edhe për ketë rast për numrin e aplikantëve në këtë konkurs”, tha Qalaj për Nacionalen.

Ai ka shpjeguar se përse pret që të ketë numër të vogël të aplikantëve për këtë konkurs.

“Sipas informatave të mija deri më tash tre ose katër persona kanë marrë fizikisht aplikacionet, mirëpo aplikantët kanë mundësi të aplikojnë edhe në mënyrë elektronike. Si do që të jetë nuk pres numër të madh të aplikantëve, ku prapë po e përsëris për shkak të trysnive, shantazhit, kërcënimeve që po i bënë Serbia me instrumentet e saj në pjesën veriore të vendit.” – ka përfunduar Qalaj.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se numri nuk bëhet publik për arsyeje të mos dhënies se inflacioneve strukturave të sigurisë se Serbisë për të krijuar presion dhe shantazh/kërcenim ndaj tyre.

“Tani në pjesën veriore kemi mungesë të zyrtareve policor të ati komuniteti dhe në këtë proces Qeveria e Kosovës duhet të këtë një strategji të bashkëpunimit e jo të diferencës që ka ndodhur si pasoj e lojërave politike të Serbisë dhe dështimit të qeveris se Kosovës të mundësoj një mase preventive ndaj kësaj politik të Vuçiqit. Numri nuk behet publik për arsyeje të mos jepjes se informacioneve strukturave të sigurisë se Serbisë për të krijuar presion dhe shantazh/kërcenim ndaj tyre.” – ka thënë Shala.

Kujtojmë se që nga dorëheqja e zyrtarëve policorë serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – policia ka njoftuar se ka dërguar atje zyrtarë të rendit nga rajone të tjera.

Të ngjashme