Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka marrë dje vendim për shkarkimin e 14 konsujve në nëpër konsullata të Kosovës, disa prej të cilëve kanë pasur lidhje të afërta me partitë politike.
Në mesin e të shkarkuarve është edhe konsulli i Kosovës në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha/Katar, Eshref Haxhiu. Ky i fundit ka reaguar pas vendimit të Konjufcës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haxhiu ka thënë se me publikimin e të dhënave të 14’të konsujve të shkarkuar, Konjufca ka shkelur Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Rregulloren e Parlamentit Evropian për mbrojtjen e të dhënave të përgjithshme.
“Përvec kësaj, komunikimi në publik i vendimit nga ana e tij është edhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 02/L-65 kundër shpifjes dhe fyerjes. Kjo për shkak se, Ministri, për shkak të pozitës që ka, është dashur të dij që arsyeshmëria e vendimit të tij është i bazuar në një të pavërtetë”, ka shkruar Haxhiu.
Ish-konsulli ka thënë se për t’u bërë diplomat ka humbur tri vende pune.
“E fundit por jo më pak e rëndësishme, dua të bëj të ditur se për shkak të angazhimit tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në verë të vitit të kaluar unë kam dhënë dorëheqje nga dy vende të punës që mbaja në atë kohë, njërën si psikolog në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tjetrën si trajner në IOM. Për këtë shih doc. nr. 07. Po ashtu, me arsyetimin se jam emruar diplomat i Republikës së Kosovës në Doha, po në atë kohë, kam refuzuar edhe ofertën tjetër nga GIZ-i gjerman për një angazhim të leverdishëm profesional”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dje ka njoftuar për shkarkime të shumë konsujve nëpër konsullata të Kosovës, disa prej të cilëve kanë pasur lidhje të afërta me partitë politike.
Në këtë listë bëjnë pjesë këshilltarja e Ramush Haradinajt, të afërm të zyrtarëve të partive politike e plot zyrtarë të AKR’së, të emëruar nga shefi i tyre, Behgjet Pacolli, sa mbante pozitën e ministrit të Jashtëm.