Rrënimi krye më vete i shtëpive të vjetra nga Komuna e Prizrenit vazhdon që të debatohet në qytetin jugor. Madje shqetësime në këtë drejtim ka adresuar edhe dega e PDK-së në Prizren, që aktualisht është në opozitë, por që për një dekadë kishte drejtuar qeverinë komunale, e cila asokohe nuk është shquar për ndërmarrjen e veprimeve për ndalimin e degradimit dhe shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Megjithëkëtë, kjo parti politike të mërkurën ka kritikuar veprimet e kohëve të fundit të organeve komunale.
“Dega e PDK-së në Prizren, shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me veprimet e jashtëligjshme, të cilat po bëhen nga ana e Komunës së Prizrenit, në mënyrë të përsëritur, veçanërisht në objekte dhe zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore”, thuhet në një komunikatë të degës së PDK-së. Ka kujtuar se para disa ditësh, “veprime të jashtëligjshme dhe të palogjikshme, janë ndërmarrë edhe në Urën e Gurit, ku Komuna, ndërmerr veprime dhe ndërhyrje në monumente, kur dihet se legjislacioni në fuqi e ndalon cilindo subjekt për të vepruar pa leje të shkruar”.
Komuna e Prizrenit të hënën kishte njoftuar se ka filluar t’i rrënojë ndërtesat e vjetra dhe të amortizuara, që janë në degradim e sipër, ngase ato paraqesin rrezik për kalimtarët.