Konushevci: Mosmiratimi i amendamentit për një milion euro shtesë nuk nënkupton mungesë financimi për protezat

Prishtinë | 21 Tet 2026 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, Arton Konushevci, ka sqaruar se mosmiratimi i amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje të tjera mjekësore për invalidët e luftës nuk nënkupton ndërprerje të financimit të këtij shërbimi.

Përmes një postimi, Konushevci ka thënë se mbulimi i shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së ka nisur në vitin 2023, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 kjo mbështetje është zgjeruar edhe për invalidët civilë të luftës.

Ai ka theksuar se përfituesit kanë të drejtë ta zgjedhin vetë institucionin ku dëshirojnë ta marrin shërbimin, ndërsa shpenzimet u mbulohen plotësisht.

“Deri më tani, të gjithë personave që kanë pasur nevojë për këtë shërbim, u janë mbuluar shpenzimet. Sipas informacioneve që kam, aktualisht asnjë kërkesë për protezë nuk është në pritje të trajtimit. Financimi i këtij shërbimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka shkruar Konushevci.

Ai ka theksuar se mosmiratimi i amendamentit për mjete shtesë buxhetore nuk duhet të interpretohet si mungesë e financimit për këtë kategori.

“Prandaj, është e rëndësishme të theksohet se mosmiratimi i një amendamenti për mjete shtesë buxhetore nuk nënkupton mungesë të financimit për protezat e invalidëve të luftës”, ka deklaruar ai.

Konushevci ka bërë të ditur se, sipas raporteve të trajtimit dhe rimbursimit, deri më tani kanë përfituar gjithsej 103 persona, me një vlerë të përgjithshme të rimbursimeve të miratuara prej 1 milion e 488 mijë e 631 eurosh e 83 centësh.

Prej tyre, sipas tij, 58 janë invalidë të luftës së UÇK-së, me rimbursime të miratuara në vlerë prej 1 milion e 22 mijë e 570 eurosh e një centi, ndërsa 45 janë invalidë civilë të luftës, me rimbursime në vlerë prej 466 mijë e 61 eurosh e 82 centësh.

Kryetari i Komisionit ka vlerësuar gjithashtu se Qeveria Kurti e ka institucionalizuar financimin e këtij shërbimi përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

“Për më tepër, Qeveria Kurti e ka institucionalizuar financimin e këtij shërbimi përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, duke e larguar administrimin e tij nga vendimmarrja e vetëm një personi, siç kishte ndodhur më parë.

Pra, mbështetja financiare që po kërkohet sot përmes amendamentit është pjesë e një mekanizmi që funksionon prej vitit 2023 dhe që do të vazhdojë të zbatohet”, ka shkruar Konushevci.

Ai ka komentuar edhe debatin parlamentar lidhur me amendamentin, duke pretenduar se kjo çështje është përdorur për qëllime politike. Sipas tij, edhe anëtarët e opozitës në Komisionin përkatës kanë qenë në dijeni të mekanizmit ekzistues të financimit.

“Sa i përket debatit parlamentar, konsideroj se kjo çështje është përdorur edhe për qëllime politike. Edhe anëtarë të opozitës në Komisionin për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur kanë qenë në dijeni të mekanizmit ekzistues të financimit.

Madje, gjatë diskutimeve në komision, një anëtar ka deklaruar: ‘Le të shkojë kjo çështje te Komisioni për Buxhet dhe ata të mos e votojnë, që të mbetet te ata’”, ka thënë ai.

Konushevci ka shprehur shqetësimin se një qasje e tillë mund ta zhvendosë vëmendjen nga nevojat e përfituesve drejt interesave politike.

“Një qasje e tillë ngre shqetësime se debati për një çështje kaq të ndjeshme po përdoret për përfitime politike dhe për vëmendje në rrjetet sociale, në vend që të përqendrohet te nevojat reale të përfituesve.

Invalidët e luftës dhe invalidët civilë të luftës meritojnë trajtim dinjitoz, mbështetje të vazhdueshme dhe informacion të saktë për të drejtat e tyre. Kjo çështje duhet të trajtohet me përgjegjësi institucionale, jo përmes deklarimeve që mund të krijojnë pasiguri te përfituesit”, ka shkruar Konushevci.

Ai ka ritheksuar përkushtimin për mbikëqyrjen e zbatimit të mekanizmit të financimit dhe për përmirësimin e trajtimit të kategorive të dala nga lufta.

“Si kryetar i Komisionit, mbetem i përkushtuar që, brenda përgjegjësive tona parlamentare, të vazhdojmë mbikëqyrjen e zbatimit të këtij mekanizmi dhe angazhimin për përmirësimin e trajtimit të të gjitha kategorive të dala nga lufta”, shtoi ai.

Të ngjashme