Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka pritur sot në takim Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Qëllimi i takimit ishte mbarëvajtja e garës në nivelin e shkollës në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në kuadër të Programit Nacional për Rininë.
“Jam i kënaqur me interesimin e nxënësve për të qenë pjesë e garës. Ky program ka krijuar një gjallëri nëpër ambientet e shkollës, qytetit e shtëpisë. Tash nxënësit fitues të nivelit të shkollës janë nën ethet e garës komunale, andaj unë ju lus juve që ta mbështesni garën në nivelin komunal”, u shpreh Koordinatori Hoti duke shtuar se programi për rininë ka për qëllim avancimin e pozitës së të rinjve dhe se me këtë program qeveria kthehet drejtpërdrejt te nxënësit.
Ndërkaq, Kryetari Suma tha se është i bindur se ky program do jetë mundësia më e mirë për të nxjerrë në pah talentët e Hanit të Elezit dhe të gjithë Kosovës.
“Edhe njëherë ju përgëzoj për programin. Në komunën tonë gara e Kreativitetit nëpër shkolla ka përfunduar me sukses. Tani po presim fituesit për të zhvilluar garën në nivelin komunal. Unë jam i bindur që ky program do të jetë i suksesshëm sepse aty ku ka garë e konkurrencë ka edhe sukses”, theksoi Suma.
Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik në nivelin komunal për vitin 2019 mbahet gjatë datave 30 mars deri me 13 prill.