Koordinatori Hoti takohet me Zëvendësministrin e Sportit në Shqipëri

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është pritur në takim nga Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Konstandin Shkurti.  

Në këtë takim, Koordinatori Hoti shpalosi konceptin e Programit Nacional për Rininë që ka filluar të zbatohet në Kosovë dhe kërkoi që i njëjti të implementohet edhe në Shqipëri në mënyrë që nxënësit tanë të garojnë në nivel ndërshtetëror së bashku.

“Programi Nacional për Rininë bazohet në garën në tri shtylla: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, sport dhe dituri. Gara do të ketë nivelin e shkollës, komunës dhe atë republikan. Meqë ju merreni me sportin, dua të theksoj se përmes këtij programi do të sistemohet sporti në shkolla dhe te nxënësit, pasi qe ky program është një sistem gjithëpërfshirës. Fillimisht, shkaku i infrastrukturës në Kosovë do të garohet në futsall, volejboll, shah dhe atletikë, ndërsa në garën e universiteteve do të shtohet edhe basketbolli”, tha Koordinatori Hoti.

Kurse Zëvendësministri Shkurti, i cili është i ngarkuar të merret me sport, u interesua më shumë për garën e sportit në kuadër të Programit Nacional për Rininë dhe  tha se do të shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim.

“Kjo që ju prezantuat është punë që do t’i shërbejë sportit. Është politikë e rëndësishme dhe mjaft e shëndetshme. Do të shohim çka mund të bëjmë për ta unifikuar dhe inkuadruar edhe te ne dhe besoj shumë që kjo do të jetë pozitive”, tha Shkurti.

Programi Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera ku përfshihet edhe Shqipëria dhe shtetet e rajonit.​


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme