Korrupsioni mbetet një nga problemet më të rëndësishme me të cilat përballet Kosova. Ndërsa shërbimi civil i Kosovës është i mbushur me nepotizëm e favorizime. Kështu janë përgjigjur qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve në një anketë të realizuar nga UNDP-ja. Ata mendojnë se korrupsioni është rritur në dymbëdhjetë muajt e fundit.
Të dhënat nga publikimi i Pulsit Publik tregojnë se 18% e qytetarëve të intervistuar vë korrupsionin si problemin e dytë më të madh me të cilin Kosova po përballet sot, duke u renditur vetëm pas papunësisë, që është perceptuar nga 39% e të anketuarve si çështja më problematike. Këto dy ndiqen nga zhvillimi ekonomik (14%), varfëria (8%), dhe situata e përgjithshme politike (7%).
“Sipas shumicës së të anketuarve (58%), niveli i korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë 12 muajve të fundit. Nga ana tjetër, 31% e tyre besojnë se korrupsioni është rritur, në krahasim me 12% që mendojnë se niveli i korrupsionit është ulur”, thuhet në publikimin e UNDP-së.
Në kuptim të perceptimit të korrupsionit në mesin e punonjësve të sektorit publik, shumica e zyrtarëve në të dy nivelet e qeverisjes janë të mendimit se shërbimi civil i Kosovës është i mbushur me nepotizëm, favorizime dhe patronazh, ushtrim të ndikimit dhe përvetësim (duke përfshirë edhe vjedhje të kohës, duke mos i punuar orët e nevojshme), vjedhje dhe mashtrime”.
“Nëpunësit publik që punojnë në institucionet e nivelit komunal janë më të prirë të besojnë se ‘ryshfeti’ ekziston në të gjithë shërbimin civil në Kosovë (80.8%), në krahasim me zyrtarët e institucioneve të nivelit qendror (66.3 %)”.
“Lidhur me çështjen e mbizotërimit të përgjithshëm të korrupsionit në shërbimin civil në Kosovë, vlerësimi mesatar për zyrtarët e nivelit komunal ishte 3,11 dhe vlerësimi mesatar për zyrtarët e nivelit të institucioneve qendrore ishte 3,08, i renditur në një shkallë nga 1 në 5, ku 1 ishte ‘jo i përhapur’ dhe 5 ishte ‘shumë i përhapur’. Pavarësisht nivelit të lartë të perceptimit të korrupsionit, ende vetëm 28.2% nga zyrtarët e institucioneve të nivelit qendror dhe 18.3% të zyrtarëve nga institucionet e nivelit komunal treguan se kanë raportuar korrupsionin kur ata kanë qenë dëshmitarë”, thuhet në publikim.
Petrit Skenderi, i cili e ka prezantuar raportin, ka thënë se 67 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se gjërat në Kosovë nuk janë duke shkuar mirë.
“Një prej pyetjeve kryesore në të gjitha ankesat kryesore sa i përket pulsit publik ka qenë një prej problemeve më domethënëse që ballafaqohet shoqëria e Kosovës. Korrupsioni ka qenë i ranguar mjaft lartë në vendin e dytë, me 18,2 për qind e të anketuarve kanë thënë se korrupsioni është problemi më i rëndësishëm në Kosovë e që është kaluar vetëm nga papunësia që është përqindje mjaft e madhe, diku 44 për qind”, thuhet në publikimin e UNDP-së.
“Po ashtu, problemi me zhvillimin ekonomik është e përafërt me këtë, është diku 13 për qind. Anketa me popullatën e përgjithshme ka shfaqur se 82 për qind e të anketuarve mendojnë se niveli i korrupsionit vërtetë është ngritur në 12 muajt e fundit, e njëjta vlen edhe për 31 për qind besonin se është ngritur dhe vetëm një përqindje shumë e vogël, 12 për qind janë të mendimit se është zvogëluar korrupsioni gjatë 12 muajve të fundit”, ka thënë ai.
Në hulumtimin e UNDP-së janë përfshirë edhe 500 zyrtarë civil, të punësuar në institucione publike. 3 për qind e tyre kanë thënë se korrupsioni është i pranishëm në institucione publike.
“Kur janë pyetur në lidhje me atë se cilët janë faktorët më të rëndësishëm të cilët e shkaktojnë korrupsionin në Kosovë, punëtorët e sektorit publik kanë raportuar jo efektshmëria e sistemit gjyqësor si një prej faktorëve kyç, në këtë drejtim gjithashtu të ndjekur nga dëshira e pasurimit të shpejtë të njerëzve të cilët janë në pozita në fuqi, mungesa e kontrolleve strikte administrative është theksuar si një prej arsyeve apo fakteve që kanë ndikuar në korrupsion”, ka deklaruar ai.
Anketa ka përfshirë 1 mijë e 300 të qytetarë dhe 500 intervista me shërbyes civil, prej të cilëve 276 nga niveli qendror dhe 224 nga niveli lokal.