Kosova dhe GIZ nënshkruajnë marrëveshje për projektin energjetik me vlerë mbi 8 milionë euro

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Ekonomisë dhe GIZ Kosovo kanë nënshkruar Marrëveshjen e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”, i cili synon të mbështesë Kosovën në avancimin e efiçiencës së energjisë dhe zgjerimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, projekti do të ndihmojë Kosovën në përmbushjen e obligimeve në kuadër të Komunitetit të Energjisë, përmes përmirësimit të kornizës rregullative për investimet në efiçiencë të energjisë dhe sistemet e vetë-konsumit, zhvillimit të mekanizmave të financimit, mbështetjes për investitorët, përmirësimit të planifikimit komunal dhe promovimit të pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë.

Projekti financohet nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë me deri në katër milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës me rreth 4.022 milionë euro.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, tha se projekti është dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Kjo marrëveshje pasqyron partneritetin e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën. Bashkëpunimi ynë me GIZ-in dhe me Qeveritë e Gjermanisë dhe Danimarkës ka dhënë rezultate të rëndësishme në avancimin e reformave në sektorin e energjisë dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Jemi të bindur se ky partneritet do të vazhdojë të sjellë rezultate konkrete edhe në vitet në vijim”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme