Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet në fushën e reformës së administratës publike. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së rregullt të Stabilizim Asociimit, e cila hyri në fuqi në prill të 2016.
Zbatimi i prioriteteve të identifikuara dhe angazhimet e ndërmarra nga të dyja palët si pjesë e proceseve të MSA-së, duke përfshirë Agjendën për Reforma Evropiane, mbeten vendimtare për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, pavarësisht nga ndryshimet politike.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi draft raportet e monitorimit vjetor të qeverisë për strategjitë e reformës së administratës publike.
Ata përsëritën angazhimin për të siguruar se pako e planifikuar legjislative, e cila përfshinë ligjet për shërbimin civil, pagat dhe organizimin e administratës shtetërore, është e përgatitur në mënyrë të koordinuar përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të bazuar në dëshmi në bazë të dokumenteve konceptuale të miratuara në nivel qeveritar.
Menaxhimi i financave publike u diskutua gjithashtu gjatë takimit.
Të dy palët theksuan rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve që dalin nga shqyrtimi i bërë nga agjencitë, me qëllim të racionalizimit të sistemit të agjencive në Kosovë. Komisioni Evropian theksoi nevojën që qeveria e re të vazhdojë këtë punë të rëndësishme.
U ra dakord që një mbledhje e re e Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike të mbahet sapo të krijohet një qeveri e re.