Komisioni parlamentar i Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Komisionin Parlamentar të Shqipërisë për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Kryetarja e komisionit kosovar, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se ky memorandum ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit mes komisioneve homologe parlamentare për çështjet e interesit të përbashkët, veçanërisht në shkëmbimin e përvojave më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe reformës në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
“Ne dolëm nga një takim shumë i vlefshëm ku diskutuam për shumë çështje, si reforma në drejtësi dhe për pakon ligjore kundër krimit dhe korrupsionit. Memorandumi do të jetësohet në takimet e përbashkëta mes dy komisioneve, përmes organizimit të punëtorive dhe vizitave studimore. Do të autorizojmë një person kompetent në kuadër të komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë, qe do te bëjë ndërlidhjen e bashkëpunimit mes komisioneve”.
Haxhiu tha se kanë diskutuar edhe për marrëveshjet mes qeverive që nuk janë zbatuar.
“Diskutuam edhe për marrëveshjet që janë nënshkruar nga qeveritë të cilat nuk janë jetësuar dhe morëm përsipër dy komisionet që ti thërrasim ministrat përgjegjës për t’i zbatuar marrëveshjet”.
Ndërsa kryetari e komisionit nga Shqipëria, Ulsi Manja, tha se janë vonuar me këtë lloj bashkëpunimi, por u shpreh se më mirë vonë se kurrë.
“Ne shqiptarët kemi një shprehje ‘më mirë vonë se kurrë’, jemi pak të vonuar por me mirë se vonë se kurrë. Le të jetë ky memorandum ogur i mirë i fillimit të bashkëpunimit reciprok dhe të qëndrueshëm”.
Sipas tij, kanë rënë dakord për krijimin e grupeve punuese për të identifikuar nevojat dhe krijimin e një strategjie të përbashkët veprimi.
“E rëndësishme është që kemi rënë dakord të ngremë grupe të përbashkëta në nivel ekspertësh për ti identifikuar nevojat tona dhe për te hartuar një strategji të përbashkët të bashkëpunimit dhe pse jo një plan veprimi me qëllim që komisionet tona të përmbushin si duhet funksionin legjislativ, kontrollues dhe zgjedhës”.
Sipas memorandumit, palët pajtohen që të jenë pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë për shkëmbimin e përvojave që plotësojnë kuadrin institucional në luftën kundër korrupsionit, rreth funksionimit të agjencive kundër korrupsionit që mbulojnë fushën e deklarimit të pasurive dhe konfliktin e interesave.
Gjithashtu, ky memorandum parasheh shkëmbimin e përvojave rreth funksionimit të këshillave gjyqësore dhe prokuroriale, raporton EO.
Komisioni i për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të vizitës në Kosovë, është takuar edhe me anëtarë të komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovë.
Takim me dyer të mbyllura është zhvilluar edhe më anëtarë të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të vizitës në Kosovë, zhvillon takim me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Kurse pasdite do të takohen me anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.