Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2019 në Prishtinë ka marrë vendim që Përfaqësuesja A ndeshjet e fazës së tretë të parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’ t’i zhvillojë në Mitrovicë.
Bordi i FBK-së e ka anuluar vendimin e datës 25 prill 2019 që ndeshjet të luhen në Rahovec dhe kështu ka vendosur që më 7 dhe 14 gusht Kosova të luajë në “Minatori” ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut.
Raundi i tretë i parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’ do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht. Fituesi i grupit do ta sigurojë një vend për në kualifikime për ‘Eurobasket 2021’.Lexo po ashtu:Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll
Në ditët në vazhdim Federata e Basketbollit të Kosovës, KB Trepça dhe Komuna e Mitrovicës do ti diskutojnë të gjitha detajet e organizimit të ndeshjeve me kriter të FIBA-s, të cilat kërkojnë punë dhe angazhim të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.
KB Trepça dhe Komuna e Mitrovicës tashmë janë dëshmuar si nikoqir dhe organizator të shkëlqyeshëm, pasi që fazën kualifikuese për ‘Eurobasket 2017’, Përfaqësuesja e Kosovës e pati zhvilluar pikërisht në palestrën “Minatori” kundër Sllovenisë, Ukrainës dhe Bullgarisë.
Orarin e Përfaqësueses së Kosovës mund ta gjeni më poshtë:
Grupi G:
3 gusht 2019 Luksemburgu – Kosova
7 gusht 2019 Kosova – Britania e Madhe
14 gusht 2019 Kosova – Luksemburgu
17 gusht 2019 Britania e Madhe – Kosova