Kosova e Bosnja me marrëveshje për bashkëpunim ekonomik

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 16:24 | Nga

Oda Ekonomike e Federatës Bosnjës e Hercegovinës  për ndërmarrësi dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve nënshkruan marrëveshjen e parë për bashkëpunim ekonomik në mes bizneseve të dy shteteve.

Mensur Bektiq, kryetar i Odës Ekonomike të Bosnjës tha se është kënaqësi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Sarajevë po marrin pjesë delegacione të katër shteteve e në mesin e tyre edhe një delegacion i lartë i Kosovës i kryesuar nga Kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Ai tha se me këtë rast po nënshkruajnë marrëveshjen e parë në mes dy vendeve me qëllim të eliminimit të barrierave ekonomike.

Ai tha se me AKB-në kanë tentuar që të krijojnë ura të bashkëpunimit në mes të bizneseve pa dallim etnie apo përcaktim fetar.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë vend që i ka krijuar barrierë ndonjë shteti tjetër përkundrazi edhe në disa raste në dëm të ekonomisë vendore, por për hir të integrimit të Kosovës ka nënshkruar shumë marrëveshje bilaterale dhe ndërkombëtare me shtete të ndryshme, si dhe me Bosnjën siç është Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA.

“Kjo marrëveshje është hap konkret drejt përmirësimit të ambientit biznesor në mes dy shteteve tona edhe pse Bosnja dhe Hercegovina padrejtësisht i ka vënë regjim të vizave për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe kjo e ka vështirësuar qarkullimin e lirë të qytetarëve, mallrave dhe kapitalit dhe për këtë arsye në shkëmbimet tregtare kemi rënie të dyanshme, kurse me Serbin ka rritje të importit si zëvendësim i disa produkteve nga Bosnja”, tha ai.

“Është për t’u habitur pse Bosnja vepron kështu kur me këtë shtet nuk kemi pasur asnjëherë konflikt e as mosmarrëveshje, përkundrazi kemi pasur raporte të mira tradicionale”, ka shtuar ai.

“Barrierat në mes dy shteteve tona më shumë janë në kokat e vendimmarrësve se sa në realitet në mes popujve dhe bizneseve. Bizneset nuk njohin kufij por ato luftojnë gjithmonë që të qarkullojnë lirshëm dhe të plasojnë produktet e tyre tek konsumatorët e rinj”.

Shahini ka theksuar se Kosova po e zhvillon industrinë përpunuese dhe prodhuese e që për tregun  e Bosnjës kanë potencial dhe interesim të prodhuesve kosovarë për të marrë tregun.

“Edhe sot kemi ardhur këtu me qëllim të promovojmë potencialin ekonomik të Kosovës, i cili për çdo ditë po rritet dhe po zhvillohet me nj konkurrencë të ashpër në tregun e Kosovës nga brendet e fuqishme botërore”.

Ky promovim i Kosovës po  realizohet në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2016 dhe do të vazhdojë edhe në ditën e nesërme në Forum me takime të ndryshme bilaterale  me delegacione nga shtetet siç janë: Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Kroacia dhe Republika Srpska dhe të pranishëm janë më shumë se 100 pjesëmarrës në Sarajevë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme