Gjykata Speciale ka kumtuar, të premten, se në mesin e javës së ardhshme do të ndodhë vendimmarrja për Rregulloren e Procedurës dhe Provave, pas hyrjes në fuqi të së cilës hapet rruga për shpalljen e aktakuzave të para.
Shteti, ndërkaq, nuk ka ndërmarrë përgatitje për t’u përballur me pasojat e mundshme pas këtij zhvillimi, shkruan sot Koha Ditore.
Bazuar në informatën e Speciales, të mërkurën e ardhshme kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, An Pauwr-Ford, do të shqiptojë përmbledhjen e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.
Shpejt më pas, përmbledhja e aktvendimit do të publikohet. Dhe, një javë më pas rregullorja do të hyjë në fuqi, rrethanë kjo kur iu mundësohet prokurorëve që para gjykatës t’i paraqesin aktakuzat për konfirmim.