Kosova i dha leje Patriarkut serb për vizitë, një ditë më pas Serbia bën të kundërtën me Sveçlën

Prishtinë | 05 Jan 2024 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se përmes rrugëve zyrtare kanë pranuar kërkesën për të lejuar Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe për të vizituar Kosovën.

MPJ për Express kanë treguar se pas shqyrtimit të kërkesës, më pas kanë vendosur që të lejojnë Porfirijen që të nis vizitën e tij në Kosovë më 3 janar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës. Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD e ka aprovuar vizitën e Patriarkut Porfirije”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Megjithatë njëjtë s’ka vepruar shteti serb lidhur me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për vizitë në Luginën e Preshevës.

Vetë kreu i MPB-së ka njoftuar të enjten më 4 janar se autoritetet serbe kanë refuzuar vizitën e tij. Sveçla ka treguar se mbrëmjen e 3 janarit është njoftuar nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd se kërkesa për vizitë është refuzuar pa asnjë arsyetim.

“Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet. Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyren ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë spjegim”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm ka thënë se një vendim i tillë tregon për qasjen destruktive të Serbisë dhe shtypjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginë.

Sveçla ndërkohë ka paralajmëruar se Kosova do të veprojë mbi parimet e reciprocitetit në rastet kur do të ketë kërkesa për vizita të zyrtarëve serbë në Kosovë.

“Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai.

Pas anulimit të vizitës në Serbi, Sveçla bashkë me ministrin Elbert Krasniqi kanë realizuar një vizitë në Liqenin e Ujmanit dhe zona afër.

Të ngjashme