Kosova në listën austriake të ndalim-fluturimeve

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Qeveria austriake, në përpjekje për ta frenuar përhapjen e koronavirusit, ka zgjeruar listën e vendeve të ndalim-fluturimit, duke i përfshirë në të edhe Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Me vendimin e ri të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, lista e ndalesës është zgjeruar në 18 shtete, prej tetë sa ishte më herët.

Si rrjedhojë, që nga e enjtja, në aeroportet e Austrisë nuk do të mund të zbresin aeroplanët nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Moldavia dhe Egjipti. Ndalesa austriake më herët vlente për fluturimet nga Bjellorusia, Kina, Britania e Madhe, Irani, Portugalia, Rusia, Suedia dhe Ukraina.

Qeveria në Vjenë fillimisht planifikonte që ndalesa të nisë së zbatuari nga e marta, por në një vlerësim të mëvonshëm ka vendosur që ta shtyjë atë për 24 orë. Një vendim i tillë u mor pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Austri, kryesisht shkaku i të kthyerve nga vendet e përfshira në listën e ndalesës.

Vendimi parasheh po ashtu përjashtime, por vetëm për fluturimet që konsiderohen me interes për Austrinë, si ato për transportimin e të sëmurëve dhe shtetasve austriakë që synojnë kthimin në vend.

Të ngjashme