Për herë të parë, Kosova po përfaqësohet në një nga ngjarjet më prestigjioze të xhudos paralimpike botërore. Në Astana të Kazakistanit, flamuri i shtetit tonë po valon në IBSA Judo Grand Prix, falë paraqitjes historike të xhudistit Ardian Sopa në garat për sportistët e verbër.
Kjo pjesëmarrje shënon një moment të rëndësishëm për sportin paralimpik kosovar, duke e vendosur Kosovën në mesin e vendeve që garojnë në skenën ndërkombëtare të xhudos për personat me dëmtime në shikim.
Komiteti Paralimpik i Kosovës ka vlerësuar debutimin në këtë garë si një arritje të madhe dhe një hap domethënës drejt fuqizimit dhe promovimit të sportistëve paralimpikë nga Kosova.
Ardian Sopa në Astana po shoqërohet nga trajneri i tij, Anton Cena, i cili prej vitesh është i përkushtuar në përgatitjen dhe zhvillimin profesional të xhudistit kosovar. Bashkëpunimi i tyre ka bërë të mundur që Kosova të prezantohet denjësisht në këtë kompeticion të nivelit të lartë.
Pjesëmarrja në IBSA Judo Grand Prix konsiderohet jo vetëm sukses sportiv, por edhe një mundësi e rëndësishme për promovimin e Kosovës dhe rritjen e prezencës së saj në arenën ndërkombëtare paralimpike.