Kosova përfiton 1.7 milion euro nga qeveria gjermane

Prishtinë | 25 Qer 2021 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i GIZ-it për Kosovë, David Oberhuber dhe Udhëheqësi i Projektit për Energji i GIZ-it, Avni Sfishta, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për implementimin e Projekteve të Bashkëpunimit Teknik.

Nga kjo marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka siguruar 1.7 milion euro, të dhuruara nga Qeveria e Republikës Federale e Gjermanisë, si asistencë teknike për afat kohor 2 vjeçar.

Objektivi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i kornizës ligjore dhe teknike për implementimin e kërkesave të Komunitetit Evropian të Energjisë, të ndërlidhura me energji dhe klimë. Ndër të tjera, GIZ
do t’i ofrojë Ministrisë së Ekonomisë edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, staf mbështetës, mbulim të shpenzimeve administrative, si dhe trajnime të ekspertëve për implementim të projektit.

Ky projekt, përpos dobisë financiare, mban rëndësi thelbësore për programin qeverisës të Ministrisë së Ekonomisë, e cila fokus primar e ka tranzicionin e drejtë dhe të qëndrueshëm energjetik, duke e marrë parasysh edhe përballueshmërinë financiare.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje e forcon më tutje bashkëpunimin zhvillimor mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit afatgjatë mes Kosovës dhe Gjermanisë, ku gjatë 22 viteve Kosova ka përfituar 660 milionë euro, duke ndihmuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe shndërrimin e Kosovës në një partner për komunitetet trans-atlantike dhe
evropiane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme