Kosova përfiton 200 milionë euro nga IPA për dy vjetët e ardhshme

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 11:38 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian kanë mbajtur takimin iniciues për nisjen e programimit të programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ministrja Dhurata Hoxha, tha se synojnë që deri në mesin e vitit të ardhshëm të kryejnë programimin e programeve kombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka ftuar institucionet e Kosovës që të bëjnë propozimet e tyre për projekte, derisa ofroi bashkëpunimin e ministrisë të cilën e udhëheq.

Hoxha ka thënë se nga sot duhet të nis një dialog mes institucioneve të Kosovës dhe BE-së për t’i përcaktuar prioritetet që sipas saj do t’i ndihmonin Kosovës në procesin e integrimit.

“Qëllimi jonë është që deri në mesin e viti të ardhshëm të kryejmë gjithë programimin që kap shumën rreth 200 milionë euro. MIE ka pranuar një numër propozimesh nga ana e institucioneve të  Kosovës. Është koha që nga sot të nisim një dialog mes institucioneve të Kosovës dhe BE-së, ti përcaktojmë prioritetet që do të na ndihmojnë në rrugën drejt procesit të integrimit”.

“Në këtë takim ftoj institucionet që të prezantojnë projektet e tyre dhe pas dëgjimit të tyre MIE qëndron e hapur për bashkëpunim për këto projekte dhe monitorimin e efekteve të tyre. Të jemi të vëmendshëm që donacionet nga partnerët të japin efektin e tyre”.

Luigi Brusa, Udhëheqës i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, ka bërë të ditur se në korrik të këtij viti, komiteti i IPA-s do të miratojë strategjinë e rishikuar përmes së cilës Kosovës do ti ndahen 600 milionë euro, 200 milionë prej tyre do të ndahen për periudhën 2019/2020.

Ai ka ftuar ministritë që brenda një muaji të prezantojnë propozimet e tyre, raporton EO.

“Në korrik strategjia e rishikuar do të miratohet nga komiteti i IPA-s dhe në prill të vitit 2020 do të kemi 600 milionë euro për Kosovën, 200 milionë prej tyre janë ndarë për periudhën 2019-2020. Programimi për këto dy vjet, thërrasim ministritë e linjës që brenda 30 ditësh ti prezantojnë propozimet e tyre ku japin përshkrimin e projekteve. Lista e projekteve duhet të jetë ne përputhje me strategjinë e rishikuar për Kosovën, dhe ka dy kapituj të rëndësishëm, demokracia dhe sundimi i ligjit. Përkrahja tjetër ka të bëjë me konkurecën, mjedisi, ndryshimi klimatik, bujqësia, arsimi”.

“Është e rëndësishme që të dalim me ide mire objektiva të qarta në aspektin e cilësisë dhe sasisë. Do të jetë e rëndësishme identifikimi i përgjegjësive, kush janë fituesit.  Duhet të identifikuan qartë nevojat sidomos për projekte të buta, p.sh duam të dimë saktë numrin e stafit, cilat objektiva duhet të arritën. Do të specifikoni qartë se cilat janë përfitimet”.

Të ngjashme