Më 9 mars është regjistruar partia më e re politike në Kosovë.
E kryetar i Bashkimit për Ndryshim – Anamorava, është zgjedhur Isa Agushi. I njëjti tha se nevoja për të sjellë një subjekt më ndryshe nga subjektet aktuale, bëri që ta formojnë këtë subjekt të ri.
Agushi tha se me epiqendër të interesit i kanë komunat e Anamoravës, Gjilan, Kamenicë e Viti, por që programin dhe synimet i kanë të shtrihen në gjithë Kosovën.
Për Gjilanin, thotë se e ndihmoi ardhjen e Alban Hysenit në krye të Komunës, por sipas tij, Hyseni nuk po arrin të bëjë ato që premtoi, pasi edhe buxheti i lëshuar nga Qeveria është i vogël.
Ai mes tjerash në Klan Kosova, foli edhe për pikëpamjet e tyre politike-programore karshi zhvillimeve të fundit. Sipas Agushit, Qeveria nuk do duhej t’i ndante nga 100 euro për 800 mijë qytetarë.
Por, me të njëjtat para, mund të financojë projekte mbi energjinë e ripërtritshme, pasi Kosova po përjeton krizë energjetike në sezonin e dimrit. Ndërsa, sipas tij, ekzekutivi do duhej t’i rriste vetëm asistencat sociale për rreth 20%. Ndërsa për sigurinë, meqenëse Agushi është ish ushtarak i shkolluar, dhe ish pjesëtarë i UÇK-së, rekomandoi forcimin me armatim të FSK-së, pasi rreziku është i hapur çdo herë nga Serbia.