Prishtinë – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e 302-të, ka miratuar raportet e punës së Prokurorisë Speciale dhe të Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan, ndërsa raportimi i Prokurorisë Themelore në Ferizaj është shtyrë për mbledhjen e radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Raporti i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është miratuar me 6 vota për dhe një kundër, atë të anëtarit Visar Krasniqi. Isufaj e kishte dorëzuar raportin e plotësuar, duke përfshirë edhe sqarime shtesë për punën e kësaj prokurorie.
Krasniqi, gjatë diskutimit, ka thënë se Prokuroria Speciale në vitet e fundit renditet e fundit sa i përket efikasitetit në nivel vendi.
Raporti i kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuqetaj, është miratuar me 5 vota për, një kundër dhe një abstenim. Vuqetaj ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 kjo prokurori ka bartur 1 mijë e 034 lëndë me 1 mijë e 355 persona.
Sipas saj, procedurat alternative kanë shënuar rritje prej 70 për qind krahasuar me vitin paraprak, përfshirë procedurat e ndërmjetësimit dhe arritjes së marrëveshjeve.
Me 7 vota për është miratuar edhe raporti i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu. Gjatë raportimit, Kryeziu ka theksuar se gjatë vitit 2025 ka pasur arrestime dhe ngritje të shumta të aktakuzave, duke thënë se në këtë mënyrë është dëshmuar barazia para ligjit.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka ndërmarrë dhe iniciuar hapa në raste të caktuara, duke theksuar se nuk ekziston ndonjë procedurë apo dispozitë që ia ndalon marrjen e rasteve dhe se një veprim i tillë inkurajohet.
Me 7 vota për është miratuar edhe raporti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Nijazi Rexhës.
Po me 7 vota për është miratuar raporti i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu. Kadriu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 kjo prokurori ka pasur 111 lëndë të bartura, ndërsa ka zgjidhur 1 mijë e 071 lëndë.
Raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, është shtyrë për mbledhjen e ardhshme. Sipas kryesuesit të KPK-së, Arian Gashi, Çerkini ka njoftuar se për shkak të obligimeve familjare nuk ka mundur të marrë pjesë në mbledhjen e sotme.
Në mbledhje, KPK-ja ka miratuar me 5 vota për dhe dy abstenime edhe dorëheqjen e Dardan Vuniqit nga pozita e kryesuesit të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive. Në këtë pozitë është caktuar anëtarja Arlinda Muqa, me 6 vota për dhe një abstenim. Mandati i saj do të zgjasë për aq kohë sa mandati i saj si anëtare e KPK-së.
Me 7 vota për është miratuar Rregullorja për Komisionin për Çështje Normative, ndërsa plotësim-ndryshimi për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit është miratuar me 6 vota për dhe një kundër.
KPK-ja ka miratuar edhe propozimin e anëtarit dhe kryeprokurorit të shtetit, Zejnullah Gashit, për transferimin dhe avancimin e dy prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Propozimi, që përfshin prokurorët Veton Shabani nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Ersan Qavolli nga Prokuroria Themelore në Pejë, është miratuar me 6 vota për dhe një abstenim.
Me të njëjtin rezultat është miratuar transferimi i prokurorëve Vyrtyte Gërvalla dhe Shaqir Sedolli nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe transferimi i prokurorit Dardan Qela nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Ndërkaq, në fillim të mbledhjes, anëtari i KPK-së, Dardan Vuniqi, ka kërkuar të flasë për zhvillimet e fundit në Hagë, duke thënë se ato kanë prekur të gjithë qytetarët e Kosovës.
Vuniqi ka thënë se lufta nuk është vetëm histori dhe se çdo viktimë meriton dinjitet, ndërsa çdo familje meriton drejtësi. Ai ka theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe se secili duhet të gjykohet vetëm për veprimet që i atribuohen, përmes një procesi të drejtë dhe me respektimin e plotë të garancive ligjore.
Pikat e tjera të rendit të ditës janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi, sipas kryesuesit Gashi, në to janë diskutuar çështje disiplinore dhe të performancës.