KPMM-ja me 76 kallëzime penale për operime të palicencuara, ankohet se gjykatat po zvarrisin lëndët

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 12:51 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Musa Shabani nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), tha se gjatë vitit 2017 kanë bërë 76 kallëzime penale për operime të palicencuara.

Shabani gjatë raportimit në komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri, ai shtoi se gjykata  në vend po zvarrisin lëndët dhe se dënimet e shqiptuara janë minimale, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë vitit 2017 janë 76 kallëzime penale për operime të palicencuara dhe janë në procedurë më tutje”.

Por Shabani vlerësoi se institucioni që udhëheq gjatë vitit 2017 ka inkasuar rreth 31 milionë euro më tepër sesa që kanë qenë të planifikuara.

“…janë të inkasuar rreth  31 milionë, apo 22,6%, më tepër se ato që kanë qenë të planifikuara”.

Sa i përket kërkesave për licenca, KPMM-ja gjatë vitit 2017 ka pranuar 265, por janë lëshuar 185 licenca.

“KPMM gjatë vitit 2017 ka pranuar 265 kërkesa për licenca, për hulumtim 122, shfrytëzim 54, leje për aktivitete të veçanta 59. Gjatë vitit 2017 janë lëshuar 186 licenca, për hulumtim 89, shfrytëzim 31 dhe për aktivitete të veçanta janë lëshuar 21 leje”.

“Inspektorati i KPMM-së ka pasur një dinamikë të lartë të punës dhe inspektimeve në terren, 1770 vizita, inspektime terreni, 159 vizita të rregullta, 1443 të kërkesave për minime masive, 27 vizita për të cilët janë lëshuar vërejtje, 62 vizita për matje të inspektimeve për veprimtari minerare të paligjshme”.

Shabani tha se vlera e borxhit që ka KPMM-ja që prej themelimit është rreth 23 milionë euro, por 10.2 milionë janë borxh i Trepçës.

“Vlera e borxhit të KPMM-së prej themelimit të saj arrihet në total rreth 23 milionë euro, 10.2 milionë të këtij borxhi janë të Trepçës”.

Dardan Molliqaj nga PSD-ja, pyeti Shabanin për rritjen e numrit të kallëzimeve penale palicencë, i cili tha se KPMM-ja duhet të marrë masa për zvogëlimin e këtyre rasteve dhe jo rritjen e tyre.

“Rritja e ekonomisë formale në këtë sektor është e madhe, nga 41 raste sa kanë qenë në 2016, janë rrit në 79 raste të kallëzimeve penale palicencë. Qeveria dhe ju nuk keni mbërri me bë një strategji që do ndikonte në rënien e këtyre rasteve,  a ka ndonjë tendencë të harmonizimit të planeve me qeverinë diçka konkrete”, ka thënë Molliqaj.

Por Shabani për rritjen e këtij numri tha se ka ndikuar jo stabiliteti politik në vend, që sipas tij, institucionet nuk janë në krye të kryerjes së detyrave të tyre në atë fazë.

“Në vitin 2016 ka pas koordinim më të mirë ndërinstitucional, na ka përkrah më shumë në 2016 MMPH, atë vit kemi bërë promovim medial për ndaljen e kësaj dukurie, në vitin 2017 kur po ndodh lëvizje politike në vend, kur vendi nuk po ka stabilitet politik rastet po shënojnë rritje, sepse institucionet nuk po janë në krye të kryerjes së detyrave të tyre dhe ky është rasti kryesor”, ka thënë Shabani.

Molliqaj paraqiti shqetësim edhe për ndarjen e buxhetit, ku sipas raportit janë ndarë 100 mijë eurove për ueb faqen e këtij komisioni, i cili tha se është e pamundur që një shumë kaq e madhe të ndahet për një ueb faqe.

Shabani tha se ueb faqja e KPMM-së dallon prej ueb faqeve të institucioneve të tjera, pasi që ofron materi shkencor i cili është i lidhur me gjeo-databazën e Kosovës, raporton EO.

“KPMM ka pas një ueb faqe nga 2004, dhe është ngrit nga institucionet gjermane dhe nuk është si ueb faqet e institucioneve të tjera dhe jo si ato të portaleve pasi që kjo ofron material shkencor, dhe është e lidhur me gjeo-databazën e Kosovës dhe modulet që është dashtë me i lidh me data bazën kanë kërkuar softere të posaçme dhe kanë qenë të kushtueshme”.

Ndërsa Azem Rexha, nga KPMM-ja, tha se ueb faqja ka kushtuar vetëm 9 mijë euro, por përtëritja e gjeo-databazës së Kosovës ka kërkuar investim më të madh.

“Ueb faqja ka qenë 9 mijë euro, por përtëritja e gjeo-databazës së Kosovës ka kërkuar investim,  kjo data-bazë llogaritet  si një ndër 5 data-bazat më të mira të botës. Projekti i ka ndarë në dy llote: avancimi i gjeo-databazës, avancimi i ueb-faqes. Avancimin e gjeo-databazës e ka bërë një kompani gjermane”, tha Rexha.

Të ngjashme